Lidhje

100 ditët e para të presidentit Trump


Presidenti Donald Trump po merr vlerësime të ndryshme pas përfundimit të 100 ditëve të para në detyrë. Ky konsiderohet si një kufi vlerësimi tradicional për një president të ri, që nga koha e Franklin Rooseveltit, i cili në javët e para të presidencës së tij në vitin 1933 veproi me shpejtësi për të nxjerrë vendin nga Depresioni i Madh. Ndërsa disa presidentë kanë patur një fillim më produktiv sesa zoti Trump, fitoret apo dështimet e hershme jo gjithmonë janë tregues i suksesit të mundshëm të një presidenti.

100 ditët e para në detyrë, Donald Trump i shënoi me një miting në stilin e tij të fushatës, në Harrisburg të Pensilvanisë me përkrahësit që e kanë mbështetur në kohë të mira dhe të këqija.

"Të reflektojmë mbi një udhëtim të pabesueshëm së bashku. Të përgatitemi për beteja shumë më të mëdha që do të vijnë. Do t’i fitojmë në çdo rast. Do t’i fitojmë", u tha mbështetësve presidenti Trump.

Në 100 ditët e para të tij, zoti Trump nënshkroi një sërë urdhërash ekzekutivë, që kanë kënaqur bërthamën e mbështetësve të tij. Por aai ka ndeshur në vështirësi për të marrë miratimin e Kongresit për çështje të rëndësishme të axhendës së tij, siç është reforma për kujdesin shëndetësor.

Megjithatë, republikanët përgjithësisht e kanë mbështetur, si udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell.

"E mbështes sulmin ajror në Siri, bombën e fuqishme në Afganistan, politikën e jashtme më të vendosur. Por siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur, nuk jam tifoz i madh i zakoneve të presidentit për të postuar në Tweeter".

Për demokratët, presidenti Trump ka qenë burim proteste dhe rezistence. Dhe sipas udhëheqësit të demokratëve në Senat Chuck Schumer, kjo ka të ngjarë të vazhdojë.

"Qasja e presidentit, se vetëm ai ka të drejtë duke i përjashtuar kundërshtarët, është arsyeja kryesore pse nuk ia doli me çështjen e kujdesit shëndetësor. Kjo është arsyeja pse ka arritur kaq pak në 100 ditët e para në detyrë", thotë zoti Schumer.

"Të vetmes gjë së cilës duhet t’i frikësohemi, është frika vetë", një shprehje historike e presidentit Franklin Roosevelt.

Standardi i 100 ditëve të para më aktive në detyrë, u vendos nga presidentit Franklin Roosevelt. Ai erdhi në pushtet në kulmin e Depresionit të Madh në vitin 1933.

Republikanët Ronald Reagan e Xhorxh W. Bush si dhe demokratët John Kennedy e Bill Clinton, kapërcyen të gjithë pengesat në fillim të mandatit të tyre presidencial, duke shënuar një sërë arritjesh.

Presidentit Trump mund t’i nevojiten së shpejti disa fitore për të ndryshuar vlerësimet ndaj tij, historikisht të ulëta, thotë analisti i institutit “Brookings” William Galston.

"Suksesi ushqen suksesin dhe dështimi, dështimin. Nëse ke treguar dobësi, kundërshtarët mund të jenë më të gatshëm të ngrihen ndaj teje ndërsa miqtë humbasin besimin të të bashkohen".

Presidenti Trump ka punuar shumë për të ruajtur mbështetjen e bazës së tij politike, thotë Sarah Binder.

"Ai nuk gëzon mmbështetje në qendër. Mbështetja kryesore i vjen prej bazës", thotë ajo.

Historikisht, fillimi i mandatit përbën një avantazh për presidentët thotë historiani Richard Norton Smith.

"Tejekspozimi është rreziku i vetëm më i madh me të cilin përballen presidencat e kohëve moderne. Jo për shkak të ndonjë gjëje të veçantë që presidenti bën ose jo. Por është thjesht tejngopja nga mbulimi i pabesueshëm që i bëhet Shtëpisë së Bardhë këto ditë".

Me kalimin e kohës presidentët e suksesshëm si Roosevelt, Kennedy dhe Reagan qenë në gjendje të zgjeronin mbështjen e tyre publike. Kjo është ndoshta sfida më e madhe për Donald Trumpin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG