Lidhje

Administrata Trump merr masa ta ndalë rrjedhjen e informacionit


Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions u tha gazetarëve të premten se ai ka trefishuar hetimet lidhur me atë që e cilësoi "rrjedhje aktive" e informacionit gjatë administratës Obama. Kjo në një përpjekje për të frenuar valën e rrjedhjes së informacionit të klasifikuar në media, nga njerëz në administratën Trump, komunitetin e zbulimit dhe të tjera institucione qeveritare.

Zoti Sessions tha se ai dhe presidenti Donald Trump "dënojnë” fuqishëm numrin e madh të rrjedhjeve që siç tha ai, “minojnë aftësinë e qeverisë për të mbrojtur këtë vend".

Ai shtoi se "askush nuk ka të drejtë që betejat e veta t’i zhvillojë në media, në mënyrë të fshehtë, duke zbuluar informacione të ndjeshme qeveritare".

Konferenca për shtyp e së premtes vjen një ditë pasi u publikuan transkriptet e bisedave telefonike të presidentit me udhëheqës të huaj, në ditët e tij të para pas marrjes së detyrës.

Në ato biseda, presidenti Trump i kërkon presidentit meksikan Enrique Peña Nieto, që të mos refuzojë publikisht kërkesën për të paguar për murin në kufi me Meksikën. Transkriptet tregojnë dhe një bisedë të tensionuar telefonike me kryeministrin australian Malcolm Turnbull lidhur me refugjatët.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i përshkroi rrjedhjet e infomacionit të klasifikuar si "disa prej kompromiseve më të këqija në historinë e kombit".

"Publikimet kanë rezultuar në kërcënim të madh për sigurinë tonë kombëtare", paralajmëroi ai.

Zoti Coats theksoi se rrjedhja e informacionit nuk vjen vetëm nga komuniteti i zbulimit. "Ato vijnë nga një gamë e gjerë burimesh brenda qeverisë, duke përfshirë ekzekutivin dhe Kongresin", shtoi ai.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats tha se njerëzit në dijeni të informacioneve që mund të prodhojnë pasoja, duhet të ndërmarrin veprime ligjore, nëse vendosin ta ndajnë informacionin dhe jo ta nxjerrun atë në shtyp. "Është e rëndësishme të theksohet se çdo publikim jashtë kanaleve të autorizuara është një vepër penale. Ne nuk do ta tolerojmë këtë”, tha ai.

Zoti Coats premtoi se agjencia që ai drejton, do të ndërmarrë hapa për të identifikuar personat që rrjedhin informacionin dhe për këtë do të vihet në dijeni FBI-ja, për një hetim të plotë.

"Nëse ju publikoni në mënyrë jo ligjore informacionin e klasifikuar, ne do t'ju gjejmë, do t'ju ndjekim penalisht dhe rezultati nuk do t’ju kënaqë” - tha zoti Coats.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG