Lidhje

Anketat: Shtohet mbështetja për Presidentin Trump


Sipas sondazhit publik të universitetit Quinnipiac, mbështetja për Presidentin Donald Trump llogaritet në 40 për qind, rezultati i tij më i mirë në shtatë muaj. Ka gjasa që zoti Trump të ketë përfituar nga treguesit e fortë të ekonomisë amerikane. Por analistët thonë se ai mund të përballet me rreziqe politike, për shkak të kritikave të vazhdueshme ndaj demokratëve dhe hetimeve në vazhdim për një marrëveshje të mundëshme të fshehtë mes Rusisë dhe njerëzve të fushatës së tij.

Presidenti Trump theksoi ndikimin që ka patur ulja e taksave gjatë një vizite në një fabrikë në Ohajo.

Por ai kritikoi gjithashtu demokratët që nuk e duartrokitën gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit.

"Ata ishin si vdekja dhe aspak amerikanë. Dikush tha tradhtar. Mendoj, pse jo?! A mund ta quajmë këtë tradhëti? Pse jo!"

Ky është një devijim i fortë nga toni që ai përdori në fjalimin e tij të fundit në Kongres ku i mëshoi perspektivës së bashkëpunimit dypalësh.

"U bëj thirrje të gjithëve të lëmë mënjanë dallimet që kemi, të shohim mundësitë për bashkëpunim dhe unitetin për të cilin kanë nevojë njerëzit".

Përmirësimi i lehtë në sondazhet ndaj presidentit Trump tregon se votuesit e vlerësojnë atë për ekonominë në rritje.

Por shpërthimi i fundit i tij ndaj demokratëve mund të jetë dëmtues thotë Jim Kessler.

"Nëse zoti Trump është i zgjuar ai do të përpiqet të bëjë marrëveshje me demokratët. Por ata nuk kanë treguar se janë të aftë për të kaluar më shumë se një javë pa ndonjë problem. Unë parashikoj kaos", thotë Jim Kessler i organizatës Third Way.

Zoti Trump dhe disa nga aleatët e tij republikanë vazhdojnë të shprehin pakënaqësi lidhur me hetimin për Rusinë.

Demokratët e shohin këtë si një përpjekje të bashkërenduar për të minuar hetimin e udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

"Ata nuk ndalen me teoritë e konspiracionit, me qasjen qesharake. Kjo ndoshta sepse kanë frikë se çfarë mund të dalë nga një hetim i vërtetë që po kryen Mueller", thotë udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Hetimi që po kryen zoti Mueller nuk jep ndonjë shenjë se mund të përfundojë së shpejti dhe siç thotë analisti John Fortier mund të bëhet faktor në zgjedhjet e kongresit të mesit të mandatit që mbahen këtë vit.

"Kjo hedh hije mbi presidencën e tij. Nuk e dimë kur do të përfundojë. Nuk dimë çfarë do të dalë nga hetimet, mund të jetë zhgënjyes në një mënyrë ose tjetrën", thotë John Fortier i qëndrës për politika dy palëshe.

Një përmirësim në sondazhet e presidentit mund të ndihmojë republikanët të ruajnë shumicën në kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG