Lidhje

Trump: pas ASEAN-it prisni një deklaratë të rëndësishme


Në një seri takimesh të zhvilluara sot me udhëheqës të Azisë Juglindore, Presidenti Donald Trump diskutoi çështje të sigurisë dhe mënyra për të thelluar lidhjet tregtare:

Takimet vjetore të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) kanë krijuar një traditë diskutimesh ku synimi është të arrihet konsensus dhe mirëkuptim që reflektojnë harmoninë rajonale, por që nuk gjenerojnë shumë marrëveshje substanciale.

Arrijtjet kryesore shënohen në takimet kokë-më-kokë mes udhëheqësve, ndërkohë që ndodhen atje për ASEAN-in.

Presidenti Donald Trump ftoi Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, i cili e kishte pritur pak ditë më parë në Tokio, në diskutimet me Kryeministrin australian Malcolm Turnbull:

“Kemi të njëjtat vlera, të njëjtin fokus për të garantuar që regjimi koreano-verior do t’i thërrasë mendjes dhe do të ndalë provokimet e pamatura dhe kërcënimet për konflikt në rajon. Paqja dhe stabiliteti kanë mundësuar begati për miliara njerëz gjatë shumë dekadash, ne do të punojmë së bashku që t’i ruajmë ato,” tha kryeministri i Australisë.

Dëshmi e këtij bashkëpunimi janë manovrat në pjesën perëndimore të Paqësorit ku janë përfshirë tre njësi sulmuese të marinës amerikane, me aeroplanmbajtëse në përbërjen e tyre.

Forcave amerikane u janë bashkuar edhe elementë të marinës koreano-jugore dhe Forcave Vetëmbrojtëse të Japonisë.

Presidenti Trump tha se do të bëjë “një deklaratë të rëndësishme” lidhur me Korenë e Veriut dhe tregtinë të mërkurën, pasi të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

“Plot zhvillime të mëdha kanë ndodhur në vendin tonë dhe në botë. Shumë gjëra janë zgjidhur ose janë drejt zgjidhjes,” tha presidenti.

Zoti Trump thotë se gjatë udhëtimit të tij janë nënkshkruar kontrata me një vlerë prej 300 miliardë dollarësh për mallra amerikane.

Por me sa duket, një pjesë e mirë e kësaj shume reflekton memorandume mirëkuptimi të nënshkruara në Pekin dhe Hanoi, por pa fuqi ligjore.

Presidentit Trump dhe udhëheqësit e tjerë nuk ishin të mirëpritur nga të gjithë në Manila. Disa mijëra protestues u përleshën me policinë, e cila përdori mjete kundër trazirave publike për të mos lejuar demonstratat t’u afroheshin sallës së takimeve.

Pati lëndime dhe të arrestuar. Protestuesit hidhnin parulla kundër zotit Trump dhe akuzonin Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të hapin një luftë të re.

Nga takimi i ASEAN-it doli një sukses për t’u shënuar: pas vitesh të tëra diskutimesh, anëtarët ranë dakord të negociojnë zyrtarish një protokoll sjelljeje në Detin e Kinës së Jugut ku një numër vendesh kanë pretendime konfliktuale për territor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG