Lidhje

Presidenti Trump kritikon ligjvënësit republikanë për buxhetin


Presidenti amerikan Donald Trump ka ripërtërirë sulmet ndaj zyrtarëve të Partisë Republikane, duke i kritikuar kësaj here se, kanë krijuar një çrregullim të procesit legjislativ për tavanin e borxheve.

Në një seri postimesh në Twitter, zoti Trump kritikoi udhëheqësin e shumicës në Senat, Mitch McConnell dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, për mos përfshirjen e legjislacionit për tavanin e borxheve tek një projekt-ligj i firmosur kohët e fundit që synon të ndihmojë veteranët. Zoti Ryan komentoi vetëm për çështjen e tavanit të borxheve që po shqyrtohej.

“Lidhur me tavanin e borxheve, ne do të miratojmë një legjislacion që siguron pagimin e borxheve tona pa kaluar tavanin e borxheve. Po shqyrtojmë shumë variante për të realizuar këtë synim. Kjo do të realizohet sepse ka të bëjë me borxhet e grumbulluara. Në këtë vend borxhet paguhen dhe ne do ta bëjmë këtë. Nuk ka vend për shqetësim se kjo nuk do të realizohet”, u shpreh Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

Nëse Kongresi nuk do të rrisë tavanin e borxheve deri nga fundi i shtatorit, qeveria federale mund të mos jetë në gjendje të paguajë disa nga faturat e saj.

Nga ana tjetër, po ashtu duhet miratur edhe ligji për të siguruar vazhdimin e funksionimit të qeverisë federale pas përfundimit të vitit fiskal më 30 shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG