Presidenti Donald Trump vazhdon të përballet me një breshëri kritikash për komentet e tij se se si supremacistët e bardhë ashtu edhe anti-protestuesit duhen fajësuar për dhunën vdekjeprurëse fundjavën e kaluar në Sharlottsville të Virxhinias.
Dy ish-presidentë të SHBA, George H.W. Bush dhe djali i tij George W. Bush, republikanët e fundit të zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë përpara zotit Trump, thanë në një deklaratë të përbashkët se "Amerika duhet të kundërshtojë gjithmonë fanatizmin racor, antisemitizmin dhe urrejtjen në të gjitha format".
Të dy ish presidentët shkruanin, "Ndërsa lutemi për Sharlottsvillin, na vijnë në mend të ërtetat themelore të regjistruara nga qytetari më i shquar në Deklaratën e Pavarësisë: Të gjithë jemi krijuar të barabartë dhe të pajisur nga Krijuesi ynë me të drejta të patjetërsueshme". Ish-presidentët i referoheshin Thomas Jeffersonit, një nga etërit themelues të vendit. "Ne i quajmë këto të vërteta të përjetshme, sepse kemi parë fisnikërinë dhe madhështinë e vendit tonë", shkruanin ata.
Në shenjë proteste ndaj komenteve të Presidenti, një numër krerësh koroporatash, anëtarë të disa këshillave strategjike të ngritura nga Shtëpia e Bardhë, njoftuan dorëheqjet nga këto grupe. Disa drejtues të lartë të biznesit e kanë kritikuar presidentin se nuk bëri përpjekje për të bashkuar vendin në rastin e trazirave të fundjavës në Sharlottsvill.
Të mërkurën, Presidenti njoftoi papritur se po i shpërndante këto këshilla.
Para kësaj, Presidenti tha se drejtuesit ekzekutivë të korporatave që hoqën dorë nga grupi këshillues i presidentit për industrinë, “po largohen se janë turpëruar” pasi kompanitë e tyre i prodhojnë mallrat jashtë Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump tha për median në Nju Jork se drejtuesit ekzekutivë të korporatave nuk po i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre, kur flitet për prodhimin brenda vendit.
“...sepse ata nuk po i marrin seriozisht detyrat e tyre përsa i takon këtij vendi. Ne duam vende pune në këtë vend. Disa prej këtyre drejtuesve i kanë çuar vendet e punës jashtë vendit dhe shumë prej prodhimeve të tyre bëhen jashtë vendit.”
Shefat e korporatave braktisën këshillin presidencial në shenjë proteste ndaj reagimit të zotit Trump lidhur me dhunën e të shtunës në Sharlotsville të shtetit Virxhinia, duke thënë se mënyra se si presidenti e dënoi racizmin ishte e dobët.
Reagimet e zotit Trump lidhur me protestën në Sharlotsville fajësuan të dyja palët për dhunën mes nacionalistëve të bardhë dhe kundër-protestuesve. Presidenti nuk i veçoi supremacistët e bardhë dhe nuk përmendi me emër grupe të tjera të urrejtjes.
Facebook Forum