Lidhje

Trump, Clinton theksojnë propozimet politike


Kur kanë mbetur pak më tepër se dy javë nga zgjedhjet, Donald Trump dhe Hillary Clinton vazhdojnë të theksojnë theksojnë programet që do të sjellë secili në Uashington, nëse fiton zgjedhjet. Kandidatët po përpiqen të elektrizojnë bazën e tyre, ndërkohë që mbajnë fjalime në shtete të ndryshme për të joshur të pavendosurit.

Janë ditët e fundit të një fushate, ku kandidatët e të dyja partive kanë përgojuar njëri tjetrin:

“Hillary Clinton është njeriu më i korruptuar që ka kandiduar ndonjëherë për postin e presidentit,” thotë​ zoti Trump.

“Donald Trump është ndryshe. Ai nuk është i përgatitur dhe i përshtatshëm për të qenë president dhe komandant i përgjithshëm,” thotë zonja Clinton.

Tani, kandidatët po e vënë theksin tek propozimet e tyre mbi politikat që do të ndjekin, për të tërhequr vemendjen e votuesve te dallimet e mëdha mes tyre.

“Nëse zgjidhem president, ne do ta ndryshojmë për mirë situatën në Washington DC,” thotë kandidati republikan.

Trump po premton kufizime për mandatet e ligjvënësve dhe një axhendë ambicioze brenda dhe jashtë vendit.

“Ne do të rinegociojmë marrëveshjet e tmerrshme të tregtisë, do t’i japim fund imigracionit të paligjshëm, do të ndalim vërshimin masiv të imigrantëve dhe refugjatëve, do të pakësojmë numrin e madh të krimeve, do t’i ulim shumë taksat dhe do t’i shkurtojmë edhe më tepër rregulloret.”

“Në Washington na pret punë e madhe dhe e di që nuk ka për të qenë e lehtë,” thotë​ pretendentja demokrate.

Zonja Clinton po premton se do të marrë masa aktive për ta çuar përpara ekonominë.

“Ne do të investojmë për vendet e punës më tepër se asnjëherë që nga Lufta. Po ashtu do të luftojmë ndryshimet klimatike, duke krijuar vende pune në sektorin e energjisë së pastër.”

Diçka është e sigurtë, asnjëri nga kandidatët nuk po pushon së sulmuari rivalin në takimet e fushatës, apo në televizion.

“Politika e Hillary Clintonit për kufirin do t’i lejojë të hyjnë në vend njerëz si ai që vrau djalin tim.” - nga fushata presidenciale e zotit Trump.

“Djali im ishte kapiteni Humayun Khan, një amerikan mysliman. Dua ta pyes zotin Trump, “A do të kishte vend për djalin tim në Amerikë?” - nga fushata presidenciale e zonjës Clinton

Por me afrimin e 8 nëntorit, Donald Trump dhe Hillary Clinton po shpenzojnë më tepër kohë duke folur për vizionin e tyre me shpresën se do t’u japin votuesve arsye për të votuar për ta dhe jo thjesht kundër rivalit.

XS
SM
MD
LG