Lidhje

Clinton-Trump shkëmbejnë akuza


Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet paraprake në gjashtë shtete amerikane, ndërkohë që gara mes dy pretendentëve demokratë: Hillary Clinton dhe Bernie Sanders vazhdon. Dje zonja Clinton mbajti një fjalim mbi politikën e jashtme në Kaliforni, ku theksoi përvojën e saj dhe tha se zgjedhja e Donald Trumpit do të ishte një “gabim me përmasa historike”.

Veshur me një bluzë ngjyrë portokalli, në shenjë respekti për viktimat e dhunës me armë zjarri, zonja Clinton tha para audiencës në San Diego se Donald Trumpi nuk është i përgatitur dhe nga temperamenti nuk është i përshtatshëm për detyrën e presidentit që kërkon njohuri, dhe një karakter gjakftohtë e të përgjegjshëm:

“Idetë e Donald Trumpit nuk janë thjesht ndryshe nga të tjerët, por janë të pakuptimta në një masë të rrezikshme. Në fakt nuk janë as ide, janë një mori fjalish plot mllef, zënkash personale dhe gënjeshtrash të hapura”, - tha zonja Clinton.

Zonja Clinton tha se biznesmeni që flet pa dorashka do të ishte i rrezikshëm në detyrën e presidentit që ka në dorë kodet e armëve bërthamore, pasi mund ta çonte vendin në luftë, thjesht nëse e irriton dikush:

“Ky person ka thënë se një numër më i madh vendesh, përfshirë Arabia Saudite, duhet të kenë armë bërthamore. Ai ka thënë se mund të braktisë aleatët e NATO-s, ato vende që luftojnë përkrah nesh për të çrrënjosur terroristët në botë, para se të godasin Amerikën”.

Zonja Clinton tha se Donald Trumpi do të shkatërronte ekonominë amerikane, ashtu siç ka falimentuar me disa prej kazinove të tij.

Zoti Trump u përgjigj menjëherë në Twitter, duke e cilësuar si paraqitje e dobët fjalimin e zonjës Clinton dhe duke shtuar se ajo nuk dukej presidenciale.

Mbrëmë vonë, zoti Trump mbajti një fjalim në Sah Jose të Kalifornisë me kritika mjaft të ashpra për zonjën Clinton.

Deri kohët e fundit, republikanët e kanë kritikuar Donald Trumpin, por me shtimin e mbështetjes për të, shumë republikanë e shohin atë si e vetmja shpresë që partia e tyre të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Dje, Donald Trumpi mori mbështetjen e republikanit më të lartë në Kongres, Kreut të Dhomës së Përfaqësueve, Paul Ryan:

“Nuk është sekret që unë dhe Donald Trumpi kemi pasur mosmarrëveshje. Nuk është sekret që jemi përplasur për disa tema herë pas here. Kjo ndodh mes çdokujt, ndodh edhe mes republikanëve. Lind pyetja: a mund të punojmë bashkarisht për një proces që do të ndihmonte për të bashkuar partinë, në mënyrë që në vjeshtë të dalim të fortë në zgjedhje?”

Zonja Clinton vazhdon garën me rivalin Bernie Sanders për emërimin e Partisë Demokrate si kandidate në zgjedhje.

XS
SM
MD
LG