Lidhje

Gjuha e kandidatëve presidencialë për trazirat në komunitetet afrikano-amerikane


Politikanët amerikanë duhet të veprojnë me kujdes në çështjen e protestave të dhunshme pas të shtënave fatale të policisë të dy afrikano-amerikanëve të tjerë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kandidatët presidencialë, të cilët nuk duan të armiqësojnë votuesit afrikano-amerikanë duke mbështetur policinë apo të armiqësojnë të tjerët duke kritikuar veprimet e forcave të rendit. Gjëja më e sigurt për të shfaqur është ngushëllimi për familjen dhe miqtë e afrikano-amerikanëve të vrarë kohët e fundit në Karolinën e Veriut dhe në Tulsa, të Oklahomës.

Në fushatën zgjedhore në Pensilvani të enjten, kandidati republikan Donald Trump kritikoi krimin dhe dhunën në qytetet amerikane.

“Vendi ynë duket keq në sytë e botës veçanërisht kur supozohemi të jemi udhëheqësi i botës. Si mund të udhëheqim kur nuk mund të kontrollojmë as qytetet tona?”

Trump fajësoi tregëtinë e drogës së paligjshme për situatën dhe premtoi të vendosi rendin në vend.

"Ne do të emërojmë prokurorët më të mirë, hetuesit dhe oficerët më të mirë të rendit në vend për të shpërbërë kartelet ndërkombëtare, bandit dhe sindikatat kriminale. Do të ndalojë rrjedhjen e drogës në vendin tone që po helmon rininë dhe shumë të tjerë."

Rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, adresoi incidentet të mërkurën në Orlando të Floridas duke i quajtur vdekjet e dy afrikano-amerikanëve të tjerë si të papërballueshme. Por ajo vlerësoi gjithashtu efektshmërinë e policisë ndaj aktiviteteve terroriste të javës së kaluar në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Minesota.

Clinton nuk bëri fushatë të enjten por kandidati për nënpresident, Tim Kaine, foli në Reno të Nevadës.

"Duhet të ndërtojmë ura më të mira lidhëse mes forcave të rendit dhe komuniteteve ku ata shërbejnë. Hillary dhe unë e kuptojmë këtë nevojë.Ne duam të investojmë në stërvitje që do të forcojnë këtë marrëdhënie.”

Shtëpia e Bardhë të enjten dënoi protestat e dhunshme në Karolinën e Veriut që pasuan vrasjet të martën.

"Presidenti sigurisht nuk beson se ka arsye që dikush të përfshihet në dhunë në konteksin e këtyre protestave.Por presidenti gjithashtu – nga ana praktike beson se këto protesta janë më të efektshme dhe ka të ngjarë të kenë më shumë ndikim, kur janë paqësore", tha zëdhësi Josh Earnest.

Presidenti Barack Obama u takua me përfaqësues të forcave të rendit dhe aktivistë të komuniteteve afrikano-amerikane në korrik për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’i angazhuar ata në dialog rreth shërbimit të policisë në komunitete dhe reformës së drejtësisë penale.

XS
SM
MD
LG