Kandidati republikan për president, Donald Trump përsëri ka ndezur polemika, pas komenteve që bëri në një tubim dje në Karolinën e Veriut, ku akuzoi rivalen Hillary Clinton se po të zgjidhej si presidente, do të emëronte gjykatës të lartë që do t’u hiqnin amerikanëve të drejtën e armëmbajtjes. Kundërshtarët e tij menjëherë e akuzuan zotin Trump se komentet e tij ishin një mesazh i kamufluar për të vrarë zonjën Clinton ose gjykatësit.
Kandidati republikan Donald Trump i bëri komentet dje në Wilmington të Karolinës së Veriut, ku tha se kandidatja demokrate Hillary Clinton do të emëronte gjykatës të lartë me pikëpamje liberale, të cilët do t’u hiqnin amerikanëve të drejtën e armëmbajtjes:
“Hillary do të heqë të drejtat që ofron amendamenti i dytë i Kushtetutës. Nëse i jepet mundësia të zgjedhë gjykatës, askush nga ju nuk ka gjë në dorë. Por ndoshta, ju përkrahës të amendamentit të dytë, mund të keni diçka në dorë. Por kur të vijë ajo ditë, do të jetë e tmerrshme”.
Kundërshtarët e tij menjëherë e akuzuan zotin Trump se komentet e tij ishin një mesazh i kamufluar për të vrarë zonjën Clinton ose gjykatësit.
Fushata e zonjës Clinton reagoi duke i quajtur komentet një sinjal ogurzi. Menaxheri i fushatës Robby Mook tha se me këto komente ai po i nxit njerëzit të reagojnë me dhunë. Ishte një tjetër moment kur demokratët u hodhën në kundërsulm duke e akuzuar zotin Trump se nuk di të kontrollojë fjalët që nxjerr nga goja, e aq më pak veprimet që do të bëjë nëse zgjidhet president.
Por kandidati republikan hodhi poshtë akuzat se po nxit dhunë, duke thënë se synimi i tij është të mos u preket amerikanëve e drejta për vetëmbrojtje në banesat e tyre. Ai tha se komentet e tij nuk ishin pro-dhunës, por pro-forcës politike që ushtrojnë amerikanët që mbrojnë të drejtën e armëmbajtjes.
Trump
“Ne kemi një fuqi të jashtëzakonshme, njerëz të tjerë si unë që besojnë tek Amendamenti i Dytë që mbron të drejtën e armëmbajtjes. Nëse zgjidhet presidente Hillary Clinton, mendoj se ajo do ta shkatërrojë këtë amendament me emërimet në Gjykatën e Lartë. Por ata që mbrojnë të drejtën e armëmbajtjes janë tepër të fuqishëm, pasi janë të bashkuar”.
Në një fjalim gjatë Kuvendit demokrat muajin e kaluar, kandidatja demokrate Hillary Clinton foli edhe për qëndrimin e saj ndaj Amendamentit të Dytë, duke thënë se nuk ka në plan të anulojë të drejtën e armëmbajtjes, por se nevojiten “reforma të arsyeshme”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se i kishte dëgjuar komentet e zotit Trump dhe i ishin dukur si një shaka që nuk kishte funksionuar, duke shtuar se këto nuk janë gjëra që duhen marrë me të qeshur.
Në tema të tjera, Donald Trump vazhdoi ta vinte theksin tek ekonomia, duke theksuar përsëri tarifa të larta për mallrat e shitura në SHBA nga kompanitë që transferojnë operacionet në vende të tjera, si dhe reformimin e rregullave për hapjen e bizneseve të reja.
Zonja Clinton ishte në Majami ku ka pasur njoftime për raste të reja me Zikë. Ajo u bëri thirrje udhëheqësve në Kongres të miratojnë fonde për të luftuar virusin. Senati ka miratuar një projekt-ligj për fonde, por Dhoma e Përfaqësuesve është shpërndarë për pushimet e sezonit, para se të miratonte ndonjë masë.