Lidhje

Presidenti në replika të ndezura me Senatorin Corker

  • Michael Bowman

Presidenti Trump e acaroi më tepër dje një debat që po zhvillon përmes Twitterit me Bob Corker, një senator i fuqishëm republikan, i cili ka thënë më parë se me temperamentin që ka dhe fjalorin që përdor, Donald Trumpi mund të shkaktojë luftën e tretë botërore. Presidenti u përgjigj duke e vënë në lojë Senatorin Corker nga që është i shkurtër me gjatësi.

Presidenti u vë shpesh epitete kundërshtarëve. Dje në Twitter ai postoi një koment ku i referohet Senatorit Corker si “Liddle Bob Corker” – I Vogli Bob Corker, pasi senatori tha në një intervistë se presidenti po sillet sikur është në një emision televiziv të tipit “reality show” dhe se “me komentet e tij mund ta çojë vendin në luftën e tretë botërore”.

Në gusht, Bob Corker, i cili është Kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i bëri thirrje Trumpit të dëshmonte më shumë stabilitet dhe kompetencë. Javën e kaluar senatori u shpreh për zyrtarët kryesorë të administratës se janë një mburojë e rëndësishme nga natyra e paqëndrueshme e presidentit.

“Mendoj se Sekretari Tillerson, Sekretari Mattis dhe Shefi i Stafit Kelly janë figura që e mbrojnë vendin nga kaosi,” tha senatori.

Zoti Corker është figurë me peshë në Uashington.

“Bob Corker pëlqehet përgjithësisht dhe konsiderohet si senator punëtor dhe serioz nga anëtarët e tjerë,” thotë analistja Molly Reynolds.

Por komentet e tij në adresë të Donald Trumpit si president dhe si individ kanë shtangur disa vëzhgues në Uashington:

“Corker po thotë se Trumpi nuk ka aftësitë e nevojshme për të qenë president i Shteteve të Bashkuara dhe se ai nuk duhet lejuar të ketë nën komandë armët bërthamore,” thotë analisti Matthew Dallek i Universitetit "George Washington".

Kritikat siç duket e kanë irrituar presidentin, i cili u hodh në sulm të dielën duke shkruar në Twitter se Bob Corker i ishte lutur ta mbështeste për t’u rizgjedhur, por më pas kishte vendosur të mos vinte kandidaturë, pasi “nuk kishte këllqe të konkurronte”. Më pas ai e fajësonte senatorin si një ndër përgjegjësit për “marrëveshjen tmerrësisht të keqe me Iranin”.

Senatori, i cili ka njoftuar se do të shkëputet nga politika vitin e ardhshëm, u përgjigj, duke e cilësuar Shtëpinë e Bardhë nën Trumpin si një “çerdhe me fëmijë të rritur”.

Ligjvënës të tjerë republikanë kanë qëndruar jashtë këtij shkëmbimi replikash:

“Të dy duhet të qetësohen. Kam punë më të rëndësishme që më presin se sa t’i them Corkerit të mbyllë gojën, ose t’i them diçka tjetër presidentit,” shprehet Senatori republikan Chuck Grassley.

Disa republikanë i kanë sugjeruar presidentit të heqë dorë nga komentet në median sociale.

“Problem bëhet vetë karakteri i tij kolerik, fakti që e përdor Twitterin për të reflektuar ato që duhet t’i mbajë përbrenda; ai e bën këtë në forma që nuk janë produktive dhe hapin debate të reja,” thotë John Feehery i Partisë Republikane.

Por Presidenti Trump shprehet me vetëbesim në udhëheqjen e tij:

“E kam thënë disa herë: e gjeta vendin rrëmujë, por po e rregulloj”.

Presidentit i duhet unitet në radhët e republikanëve për të realizuar reformën në sistemin fiskal dhe objektiva të tjera të rëndësishme në programin e tij. Edhe para se të fillonte replika e fundit me presidentin, Senatori Corker është shprehur me kritika ndaj projekt-buxhetit të presidentit që do të thellonte borxhin kombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG