Lidhje

Reagimet europiane për vizitën e Presidentit Trump


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer deklaroi përmes twiterit se udhëtimi i parë jashtë vendit i Presidentit Donald Trump ishte i shumë suksesshëm, ndërsa presidenti amerikan kishte marrë rrugën e kthimit pas “9 ditëve me shumë produktivitet”, siç u shpreh zësdhënësi.

Vetë Presidenti Trump u tha trupave amerikane në Siçili se me këtë udhëtim ai i kishte forcuar lidhjet me aleatë europianë.

Por reagimi i udhëheqësve dhe mediave europiane për udhëtimin e presidentit amerikan nuk ka qenë ashtu siç e karakterizoi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Në kryeqytetet kryesore europiane, Berlin dhe Paris, fjala “sukses” nuk u përmend askund.

Zyrtarët europianë thonë se aleatët e transatlantikut nuk janë tani më të bashkuar se sa kur ishin para fitores së Donald Trumpit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu hapur shqetësimin se aleanca tradicionale mes vendeve të Perëndimit është e rrezikuar, si nga Presidenti Trump, edhe për shkak të Brexit-it.

Duke folur në një miting në Gjermani, ajo tha se "Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit."

Sipas një pikëpamjeje të shprehur gjerësisht në shtypin europian, Uashingtoni nuk është përsëri aleati i afërt ku mund të mbështetesh. Gjatë gjithë javës, titujt e lajmeve të gazetave europiane nuk kanë qenë të njëjta me ato të Shtëpisë së Bardhë lidhur me takimet e zhvilluara.

Gazeta belgjiane "Le Soir" kishte si titull në faqe të parë: “Trump shtyn me forcë aleatët”.

Gazeta financiare gjermane Handelsblatt i vuri atij nofkën “kryeharbuti”.

Europianët patën shpresuar që vizita e zotit Trump të shënonte një lloj rikuperimi të marrëdhënies transatlantike, të vështirësuar nga zgjedhja e tij; ata prisnin që presidenti amerikan t’i shikonte zhvillimet botërore edhe nga këndvështrimi i tyre.

Por që nga Brukseli, e deri në Siçili, analistët thonë se pati "buzëqeshje të ngrira" dhe "mendime të ndryshme" për një numër çështjesh, si tregtia, imigracioni, sanksionet ndaj Rusisë dhe ndryshimet klimatike.

Gazeta franceze "Le Monde" shkruante: “Gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit, Presidenti Trump ju përmbajt linjës së tij “Amerika first"- Amerika e Para, duke refuzuar të merrte hapa për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës.”

Artikulli e gjykon të gabuar mungesën e një deklarate nga zoti Trump për të ritheksuar Artikullin e 5-të të NATO-s, që garanton ndihmë reciproke në rastin e një sulmi ndaj një vendi anëtar dhe për kërkesën e tij ndaj udhëheqësve europianë për ndarjen e barrës së përbashkët financiare.

Gazeta gjermane "Der Spiegel" publikoi një fotografi të takimit të Presidentit Trump me presidentin e ri francez Emmanuel Macron, ku të dy burrat duken duke shtrënguar duart si në një ndeshje mundjeje, një metaforë vizuale e udhëtimit europian të presidentit amerikan. Komenti për fotografinë, ishte se të dy burrat i treguan forcën njëri tjetrit.

Media të tjera europaine i kushtuan vëmendje të veçantë momentit kur zoti Trump e shtyu kryeministrin malazez Dusko Markovic, për të dalë në rresht të parë, gjatë fotografimit me udhëheqësit e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG