Lidhje

Analistët: Trump po dëmton populizmin e djathtë në Evropë


2017 pritej të ishte viti në të cilin populistët e krahut të djathtë do të merrnin pushtetin në Evropë, duke i bërë jehonë zgjedhjes së Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara. Por rezultatet e votimeve sfiduan parashikimet. Emmanuel Macron, një politikan i qendrës shënoi fitore dërrmuese në Francë, ndërsa në Britani partia e ekstremit të djathtë, Pavarësia e Mbretërisë së Bashkuar, pothuaj u fshi nga skena politike, ndërkohë që konservatorët në pushtet humbën shumicën që kishin në parlament.

Kryeministrja britanike Theresa May ishte udhëheqësja e parë e huaj që vizitoi Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar. Por kjo mund t’i ketë kushtuar asaj në zgjedhjet e fundit.

Britania pësoi një numër sulmesh terroriste përpara zgjedhjeve të fundit. Fillimisht, Donald Trump ofroi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Britaninë, por më vonë e përmes Twitterit ai kritikoi kryetarin e Bashkisë së Londrës. Kjo bëri që shumë votues të vënë në dyshim qasjen e presidentit Trump ndaj Britanisë.

"Dhe kjo shton më shumë trysninë ndaj Evropës. Kjo nuk është një gjë e prekshme, por ka një ndjenjë se debatet kombëtare po lëvizin në anën tjetër, duke u bërë përsëri më të kujdesshëm ndaj Amerikës", thotë analisti Ian Dunt.

Në prill Presidenti Trump u duk se po mbështeste kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen pas një sulmi terrorist ndaj policisë në Paris. Ajo u mposht nga rivali i saj, Emmanuel Macron.

"Kjo luajti një rol në kuptimin që i uli shanset e saj. Një nga arsyet është shembulli që Donald Trump po vendoste në Shtetet e Bashkuara, që nuk u perceptua domosdoshmërisht si një shembull pozitiv", - thotë Catherine De Vries nga Universiteti i Essex-it.

Vendimi i Presidentit Trump për të dalë nga marrëveshja e Parisit për Klimën, gjithashtu alarmoi Evropën:

"Mendoj se shumë votues tani po pyesin veten se a do t’u sillte ndonjë të mirë votimi për një kandidat jo tradicional të krahut të djathtë në Evropë? Unë nuk mendoj se është fundi i populizmit të krahut të djathtë. Mendoj se ata nuk janë domosdoshmërisht mobilizuesit e vetëm të lëvizjeve kundër politikbërjes konvencionale. Ata thjeshtë e gjejnë veten në konkurrencë me të tjerët."

Në konkurrencë me një lloj të ri politikanësh: populist dhe centrist. Por, ky ndryshim nuk ka përfshirë të gjithë Evropën.

Trump mbetet popullor në vendet e Evropës lindore si Polonia. Presidenti amerikan do të vizitojë Varshavën muajin e ardhshëm. Asnjë vizitë nuk është planifikuar për në Paris apo Berlin, dhe vizita e tij e propozuar shtetërore në Londër është në pritje.

Analistët thonë se kjo është një shenjë e përçarjes në rritje mes Uashingtonit dhe Evropës Perëndimore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG