Lidhje

Trump shënjon politikën e tij të jashtme

  • PETER HEINLEIN

Ekipi i Presidentit amerikan Donald Trump pati një qasje domëthënëse dhe të guximshme, gjatë mbledhjes këtë javë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, edhe pse një administratë e re, që mori detyrën nëntë muaj më parë e me pak eksperiencë të çmuar në politikën e jashtme. Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të presidentit Trump ka marrë një rol edhe më të spikatur diplomatik.

Nga goditjet verbale ndaj Koresë së Veriut që prodhuan lajm:

"Njeriu raketë është në një mision vetëvrasës për vete dhe për regjimin e tij", tha presidenti Donald Trump.

...tek fjalimi i tij i ashpër ndaj Iranit:

"Ne nuk mund të lejojmë që një regjim vrasës të vazhdojë veprimet e tij destabilizuese".

Në maratonën e tij katër ditore të takimeve me udhëheqësit botërorë Presidenti Donald Trump me stilin e tij të drejpërdrejtë, që disa e quajnë të thjeshtëzuar, po shtyn drejt zhvillime të befta diplomatike, të cilave u janë shmangur edhe burrat e shtetit më me përvojë.

"Po kërkojmë seriozisht paqe dhe ndoshta më në fund të kemi paqe në të gjithë Lindjen e Mesme .... Mendoj se kemi shanse mjaft të mira, ndoshta më të mirat ndonjëherë dhe po shkojmë drejt këtij qëllimi”, tha ai.

Takimi i OKB-së i dha ekipit të politikës së jashtme të zotit Trump një mundësi për të shprehur autoritet. Ambasadorja amerikane në këtë organizatë Nikki Haley, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster dhe Nënpresidenti Mike Pence u vunë në krah të presidentit në çdo takim të nivelit të lartë.

Gjithashtu edhe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, i cili megjithë një nisje të avashtë, përballoi një ngarkesë të rëndë, ku përfshihej edhe një takim që zhvilloi me ministrin e jashtëm të Iranit Javad Zarif. Ky i fundit e pati cilësur fjalimin e presidentit Trump para Asamblesë së Përgjithshme “fjalim urrejtjeje”.

"Nuk pati tension. Nuk hoqëm këpucët për t’ia hedhur kokës tjetrit. Nuk kishte aspak tone acarimi.Shkëmbyem fakte se pse e shohim marrëveshjen (për armët bërthamore) në mënyra krejt të ndryshme", tha zoti Tillerson.

Presidenti Trump i dha fund katër ditëve me takime diplomatike me bisedimet me udhëheqësit e Japonisë dhe të Koresë së Jugut, në një shfaqje uniteti, ndërsa njoftoi sanksione të reja të ashpra ndaj Koresë së Veriut.

"Dua të njoftoj sot firmosjen e një urdhri të ri ekzekutiv që zgjeron në mënyrë të konsiderueshme autoritetin tonë për të vendosur në shënjestër individët, kompanitë, institucionet financiare që financojnë dhe lehtësojnë tregtinë me Korenë e Veriut", - tha Trump.

Sipas ekspertëve qasja e guximshme diplomatike e zotit Trump e ka vendosur në provë ekipin e tij të politikës së jashtme.

"Është si të kalërosh mbi një kal të egër. Është e vështirë për ekipin, në kushtet kur presidenti jo gjithnjë është i parashikueshëm. Me deklaratat e tij pa fund në twiter e bën shumë të vështirë ruajtjen e një politike koherente. Megjithatë, mendoj se në përgjithësi gjërat kanë filluar të qetësohen” thotë Gary Schmitt i Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve.

Ndërsa largohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara zoti Trump ka përvijuar politikën e tij të jashtme amerikane, që megjithëse ende po evoluon, po bëhet më e qartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG