Lidhje

Donald Trump dhe prova e tij e qeverisjes


Janë shënuar gjashtë muaj që nga koha kur manjati i pasurive të patundshme Donald Trump u zgjodh presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, në një prej fushatave politike më të përçarëse në historinë amerikane. Ai erdhi nga jashtë politikës me synimin për t’i dhënë fund statukuosë, por deri tani përpjekjet e tij për ndryshime të mëdha, kanë ndeshur në vështirësi. Demokratët nga ana tjetër akoma po përpiqen të përshtaten me rolin e tyre të ri në opozitë, pasi kanë kontrolluar Shtëpinë e Bardhë për tetë vjet nën ish presidentin Barak Obama.

Në Shtëpinë e Bardhë është koha për të festuar, pasi Presidenti Trump dhe republikanët e Kongresit shpallën një fitore të hershme në përpjekjen e tyre për të zëvendësuar ligjin për kujdesin shëndetësor të nënshkruar nga presidenti Barak Obama.

Fati i projekt-ligjit në Senat është i pasigurt, por miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve ishte një moment triumfi për presidentin e ri, shpesh i frustruar në ditët të tij të para në detyrë.

"Si mendoni a po ja dal, nisur nga fakti se vij nga një fushë tjetër dhe jam në politikë për një periudhë të shkurtër kohe? Unë jam president, e besoni…apo jo?”, u shpreh presidenti Donald Trump.

Por përpjekjet e presidentit nuk kanë qenë të lehta.

Ai e mbajti premtimin për të emëruar një konservator në Gjykatën e Lartë, por vazhdon të përballet me pengesa në reformën e taksave, shpenzimet qeveritare dhe kujdesin shëndetësor.

"Çfarë dite 8 nëntori! A nuk ishte një mbrëmje e madhe?” tha presidenti Trump duke iu referuar miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve të ndryshimeve në ligjin për kujdesin shëndetësor.

Edhe pse zoti Trump vazhdon të krenohet me fitoren e tij të papritur, presidenca e tij ka nxitur opozitë në bazë dhe tek demokratët në Kongres.

Demokratët thonë se me planin e presidentit Trump miliona njerëz mund të humbasin sigurimin shëndetësor. Udhëheqësja e tyre Nancy Pelosi paralajmëroi se republikanët mund të paguajnë një çmim politik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kongresin, që zhvillohen në mes të mandatit të presidentit.

"Disa prej jush kanë thënë se do të përmirësohet në Senat. Ju nuk mund të fshiheni pas asaj që keni bërë”, tha ligjvenësja Pelosi, duke i paralajmëruar kolegët republikanë se do të paguanin një çmim në votime.

Presidenti Trump mori detyrën me zotimin se do t’i jepte fund politikës së vjetër. Por realizimi i kësaj në praktikë ka qenë i vështirë, thotë analisti John Hudak.

"Të zgjidhesh dhe të qeverisës janë dy gjëra shumë të ndryshme. Ai është presidenti me më pak përvojë në historinë amerikane, i rrethuar me njerëz pa përvojë në menaxhimin publik, në politik-bërjen federale dhe ligjin federal, një kombinim rrethanash problematike për zotin Trump”, thotë John Hudak i institutit Brookings.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, zoti Trump mburrej shpesh me aftësitë e tij për të arritur marrëveshje.

Por kjo tashmë do të vihet në prove.

"Si përfundim, mendoj se dëshira e Trumpit për të qenë fitues mund të dominojë ndaj gjithë instikteve të tij", thotë William Galston i institutit Brookings.

Si biznesmen Donald Trump ishte mësuar të arrinte atë që donte.

Por tani, edhe me fuqinë e madhe që i jep presidenca Donald Trumpi po zbulon se sa e vështirë mund të jetë politika, madje edhe për një si ai, që tronditi politikën, kombin dhe botën me fitoren gjashtë muaj më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG