Lidhje

Presidenti Trump zotohet të luftojë anti-semitizmin


Presidenti i SH.B.A.-së Donald Trump u zotua të martën të përballet me antisemitizmin dhe urrejtjen kur foli në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit në një ceremoni në Kongres.

"Ne do të largojmë paragjykimet, do të dënojmë urrejtjen, dhe do të veprojmë", tha zoti Trump. "Si president i Shteteve të Bashkuara unë gjithmonë do të qëndroj me popullin hebre dhe do të qëndroj gjithmonë me partnerin dhe mikun tonë të madh, shtetin e Izraelit ".

Zoti Trump tha se ata që mohojnë Holokaustin janë bashkëpunëtorë për këtë të keqe të tmerrshme dhe ne nuk do të jemi kurrë të heshtur përballë së keqes".

Presidenti Trump e quajti asgjësimin e gjashtë milionë hebrenjve nga Adolf Hitleri gjatë Luftës së Dytë Botërore si "orën më të errët të historisë" dhe dënoi ata që mohojnë Holokaustin.

"Mohimi i Holokaustit është vetëm një nga format e shumta të antisemitizmit të rrezikshëm që vazhdon në mbarë botën", tha ai. "Ne kemi parë antisemitizëm në kampuset universitare, në sheshe publike dhe në kërcënimet ndaj qytetarëve hebrenj. Edhe më keq, antisemitizmi është shfaqur në mënyrën më të keqe kur terroristët sulmojnë komunitetet hebraike ose kur agresorët kërcënojnë Izraelin me shkatërrim total dhe të plotë. Ky është zotimi im për ju - ne do të përballemi me antisemitizmin ".

Presidenti Trump tha: "Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot, për të kujtuar dhe për të dhënë dëshmi, për të siguruar që njerëzimi kurrë të mos harrojë".

Fjalimi i zotit Trump në përkujtim të masakrës së shtatë dekadave më parë vjen pas dy momenteve të kritikuara në lidhje me Holokaustin në tre muajt e parë të mandatit në Shtëpinë e Bardhë.

Në janar, pak pas marrjes së detyrës, ai lëshoi një deklaratë që shënonte Ditën e Përkujtimit të Holokaustit pa përmendur hebrenjtë e vrarë në synimin e Hitlerit për të zhdukur popullin hebre.

Kohët e fundit, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer provokoi zemërim, dhe më pas kërkoi falje pasi krahasoi në mënyrë të favorshme veprimet e Hitlerit gjatë Holokaustit me përdorimin e armëve kimike nga presidenti sirian Bashar al-Assad.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG