Lidhje

Pres. Trump pritet të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin


Zyrtarë amerikanë thonë se Presidenti Donald Trump mund ta tërheqë Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe t’ia kthejë atë për shqyrtim Kongresit, me mundësinë për t’i rinovuar sanksionet. Presidenti Trump pritet t’i bëjë të njohura planet e tij në një fjalim që do të mbajë javën e ardhshme, ku pritet të thotë se marrëveshja nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump diskutoi për marrëveshjen e Iranit të enjten në mbrëmje, në një takim që pati në Shtëpinë e Bardhë me komandantë ushtarakë.

"Regjimi iranian mbështet terrorizmin dhe eksporton dhunë, gjakderdhje dhe kaos në mbarë Lindjen e Mesme. Kjo është arsyeja përse ne duhet t’i japim fund agresionit të vazhdueshëm të Iranit dhe ambicieve të tij bërthamore. Ata nuk kanë vepruar në përputhje me thelbin e marrëveshjes,” - tha Presidenti.

Sipas një vendimi të Kongresit, Presidenti Trump duhet të njoftojë çdo 90 ditë në se Irani po i përmbahet marrëveshjes.

Irani e nënshkroi marrëveshjen me administratën Obama më 2015, krahas me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Marrëveshja fillimisht i kërkon Iranit ta kufizojë programin e pasurimit të uraniumit, që të mos jetë më në gjendje të ndërtojë armë bërthamore. Në këmbim të kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të hiqnin shumë nga sanksionet që e kanë shkatërruar ekonominë iraniane.

Agjencia Atomike Ndërkombëtare dhe ushtarakët amerikanë thonë se Irani deri tani e ka respektuar marrëveshjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG