Lidhje

Presidenti Trump dhe politika e “një Kine”


Presidenti Donald Trump i tha homologut kinez Xi Jinping gjatë një bisede telefonike se Shtetet e Bashkuara synojnë të respektojnë politikën e “një Kine”, duke njohur kështu qëndrimin e Kinës se ajo ka sovranitet mbi Tajvanin, vendin-ishull që vetëqeveriset.

Shtëpia e Bardhë tha se telefonata e mbrëmshme ndërmjet dy udhëheqësve botërorë ishte “tepër e përzemërt” dhe se presidentët shkëmbyen ftesa për t’u takuar.

Presidenti Trump ishte kritikuar pas fitores së zgjedhjeve për një bisedë telefonike që pati me Presidenten e Tajvanit.

Asnjë president i zgjedhur apo president i SHBA-së nuk ka patur kontakte të tilla me një udhëheqës të Tajvanit që kur Uashingtoni ndërpreu marrëdhëniet formale në vitin 1979 me Tajvanin, dhe u përqëndrua tek Kina, e cila po përjetonte rritje të shpejtë. Por, Uashingtoni ka vazhduar të jetë një mbështetës i fortë i Tajvanit.

Në një dokument të përbashkët SHBA – Kinë të vitit 1979, Shtetet e Bashkuara njohën Pekinin si qeverinë e vetme legjitime të Kinës, duke njohur kështu edhe qëndrimin kinez se ekziston vetëm një Kinë dhe se Tajvani është pjesë e Kinës.

Mediat shtetërore kineze thanë se fakti që zoti Trump pranoi një telefonatë nga presidentja e Tajvanit ishte për shkak të mungesës së përvojës, por ato gjithashtu paralajmëruan se një shkelje e politikës së “një Kine” do të prishte marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit.

Zoti Trump u duk i befasuar prej reagimit ndaj telefonatës, dhe u shpreh në Twitter se “është interesante që SHBA i shesin Tajvanit miliarda dollarë pajisje ushtarake, ndërkaq unë nuk duhet të pranoj një telefonatë urimi”.

Megjithë kundërshtimet e Kinës rreth një vit më parë, Presidenti i atëhershëm Barack Obama pati autorizuar shitje armatimi mbrojtës me vlerë 1.83 miliardë dollarë për Tajvanin, ndër të tjera edhe shitjen e dy fregatave, mjeteve amfibe sulmuese, si dhe sistemeve kundërajrore dhe kundër mjeteve lundruese.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG