Lidhje

Presidenti Trump: Senatori demokrat shtrembëroi komentet e gjykatësit Gorsuch


Presidenti Donald Trump vazhdoi të sulmonte të enjten senatorin demokrat, Richard Blumenthal duke e akuzuar se kishte "shtrembëruar" komentet private të kandidatit për Gjykatën e Lartë, Neil Gorsuch ku kritikohej presidenti.

Të mërkurën, senatori Blumenthal tha se zoti Gorsuch, në një takim me të e kishte cilësuar si “demoralizuese” dhe “shkurajuese” kritikën e presidentit Trump për sistemin gjyqësor.

Zoti Trump tha të enjten se zoti Blumenthal i kishte "shtrembëruar" komentet e gjykatësit Gorsuch, dhe e krahasoi këtë rast me deklarata të gabuara që senatori Blumenthal ka bërë në të kaluarën. .

"Komentet e tij janë shtrembëruar dhe duhet të pyesni Senatorin Blumenthal për pohimet e tij për Vietnamin për ngjarje që nuk kishin ndodhur. Ai e kishte shtrembëruar të vërtetën, ashtu siç po shtrembëron komentet e gjykatësit Gorsuch,” tha zoti Trump në një sesion bisedimesh me një grup dypartiak senatorësh në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha në konferencën e përditshme për shtyp se presidenti "absolutisht" e mbështet kandidatin e tij për gjykatën e lartë.

Senatori Blumenthal këmbënguli të enjten se nuk i kishte shtrembëruar komentet e zotit Gorsuch.

Gjatë garës së tij të senatit në vitin 2010, zoti Blumenthal mbajti një konferencë për shtyp për të sqaruar se nuk kishte shërbyer në Vietnam por brenda Shteteve të Bashkuara gjatë kohës së luftës, për gjashtë vjet si pjesëtar i Rezervave të Marinës.

Zoti Gorsuch i kishte bërë komentet gjatë një takimi privat të mërkurën me senatorin demokrat Blumenthal. Ky i fundit bëri publike vëretjet e zotit Gorsuch, të cilat u konfirmuan më pas dhe nga zyra e kandidatit për Gjykatën e Lartë.

Pak ditë më parë presidenti Trump komentoi vendimin e gjykatësit James Robart, që pezulloi urdhrin ekzekutiv të tij, i cili ndalon hyrjen në Amerikë të shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Në një mesazh në Twitter zoti Trump duke iu referuar zotit Robart, e cilësoi si “i ashtëquajtur gjykatës” si dhe u kërkoi amerikanëve ta ngarkojnë atë me përgjegjësi nesë ndodh diçka e keqe, duke aluduar për ndonjë sulm terrorist. Ai kritikoi gjithashtu dhe tre gjyqtarët e gjykatës së San Françiskos që pritet të japin së shpejti një vendim nëse pezullimi i urdhrit do të mbetet në fuqi ose jo.

XS
SM
MD
LG