Lidhje

Takimi Trump-Kim përfundon pa marrëveshje


Tryeza ishte shtruar për drekën në hotelin Metropole dhe një ceremoni ishte përgatitur për Presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un për nënshkrimin e marrëveshjeve. Por të dyja u anuluan me nxitim të enjten paradite, duke mbyllur para kohe takimin e dytë të nivelit të lartë nga udhëheqësit e dy vendeve.

“Gjithmonë duhet të jesh i përgatitur që të ikësh. Mund të kisha nënshkruar diçka sot. Në fakt i kishim gati dokumentat për të nënshkruar”, tha Presidenti Trump.

Ai shtoi se Kim donte që të hiqeshin sanksionet plotësisht dhe tha në një konferencë për shtyp në Hanoi pasi dështuan bisedimet se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta bënin një gjë të tillë.

“Ata ishin të gatshëm të çnuklearizonin një pjesë të madhe të zonave që donim ne, por ne nuk mund të hiqnim dorë nga sanksionet për një gjë të tillë”, tha zoti Trump.

Ai tha se kishin diskutuar për çmontimin e konpleksit bërthamor të Yongbyonit, por një çështje që e komplikoi gjendjen ishte një kompleks tjetër për pasurimin e uraniumit.

Kim, sipas Presidentit Trump, kishte premtuar gjatë darkës një natë më herët se Koreja e Veriut, nuk do të kryente më prova bërthamore ose me raketa.

Presidenti i cilësoi bisedimet në Hanoi si "produktive" dhe tha se mendonte se të dyja palët do të arrinin një marrëveshje me kalimin e kohës për çnuklearizimin e Koresë së Veriut.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Presidenti Trump tha se nuk kishte premtuar një takim të tretë me Kimin. Ai la gjithashtu të kuptohet se Koreja e Veriut, nuk do të ndëshkohet për mungesën e përparimit.

“Nuk dua të flas për shtimin e sanksioneve. Ato janë të forta”, tha zoti Trump.

Seuli u shpreh me keqardhje për përfundimin pa marrëveshje të takimit.

“Është për të ardhur keq që nuk u arrit një marrëveshje e plotë mes Presidentit Donald Trump dhe kryetarit Kim Jong Un. Njëkohësisht, e vërteta është se kemi përparim më shumë se kurrë më parë,” shprehej në një deklaratë zëdhënësi i Presidentit koreano-jugor, Moon Jae-in, Kim Eul-kyeom.

Gjatë bisedimeve të enjten, si presidenti Trump, ashtu edhe kryetari Kim u shprehën pozitivisht për mundësinë e hapjes së një zyre amerikane në Phenian.

Gjatë bisedimeve të së enjtes, pati një arritje që në pamje të parë mund të duket e vogël, por është në fakt historike. Për herë të parë Kim Jong Un, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të huaj.

Përgjigjia ishte ndaj një pyetjeje të Washington Postit, nëse ai kishte besim se do të arrihej një marrëveshje.

Kim u përgjigj duke thënë se është shumë herët të thuash, por shtoi se kishte ndjesinë se do të kishte rezultate pozitive.

Megjithatë, rezultate të tilla duket se do të duhet të presin deri në një takim të ardhshëm mes dy udhëheqësve.

Komente të analistëve për takimin Trump - Kim

Pas mbylljes para kohe të takimit të dytë të nivelit të lartë mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Un, disa analistë në Shtetet e Bashkuara komentuan për takimin:

Thomas Countryman, ish ndihmës Sekretar i Shtetit për Sigurinë Kombëtare dhe Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, tani drejtor bordi i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, tha: “Rezultati i takimit të Hanoit ishte zhgënjyes, por jo i papritur. Presidenti Trump veproi drejt, duke refuzuar heqjen e të gjitha sanksioneve - një hap i cili nuk do të mund të zhbëhej me lehtësi, si përgjigje ndaj premtimit për çmontimin e pjesshëm të objekteve për ndërtimin e bombave të Koresë së Veriut. E rëndësishme është që të dy udhëheqësit t’i shtojnë negociatat, për të punuar për identifikimin e hapave të arsyeshme, edhe në qofshin të vogla, që të dyja palët kanë vullnetin t’i marrin. Takimi i ardhshëm nuk duhet të mbahet pasi të jetë arritur një marrëveshje në nivel të ulët.”

Ken Gause, Drejtor i Grupit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Qendrën e Analizave për Marinën, tha se “Është për të ardhur keq që të dyja palët nuk arritën një marrëveshje modeste. Kim Jong Un kërkoi shumë, ndërkohë që nuk pranoi të bënte lëshimet e duhura. Me një fjalë, Kim donte që të hiqeshin të gjitha sannksionet dhe ai ofroi vetëm përpjekje modeste për çnuklearizimin. Kjo, sigurisht, që nuk ishte diçka për të cilën Trump mund të binte dakord. Të dy udhëheqësit për momentin, nuk duket të kenë ngut për ta çuar përpara këtë përpjekje.”

Bruce Klingner, studjues në Fondacionin Heritage, tha se: “Zoti Trump shmangu arritjen e një marrëveshjeje të çastit, por jo të mirë me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong-un. Për këtë ai duhet lavdëruar. Dështimi i takimit të Hanoit mund të shtojë spekullimet për rifillimin e menjëhershëm të krizës në Gadishullin Korean dhe rifillimin e kërcënimeve. Por kjo nuk duket se do të ndodhë tani për tani. Presidenti Trump tha se Kim Jong-un premtoi se nuk do t’i rifillojë provat bërthamore dhe me raketa, të cilat do t’i shtonin tensionet. Por Presidenti nuk la të kuptohet se SHBA do të marrin masa që mund të shkaktojnë një përgjigje të fortë nga Koreja e Veriut. Tani mbetet që palët të vlerësojnë hapat që duhen ndërmarrë në të ardhmen.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG