Lidhje

Pekini: Qëndrimi i Trumpit ndaj Tajvanit, shumë shqetësues


Kina tha sot se ka “shqetësime serioze” lidhur me komentet e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e politikës amerikane “një Kinë e vetme”, nëse qeveria kineze nuk ofron koncesione tregtare.

Në 1979 përmes një komunikate të përbashkët amerikano-kineze, Shtetet e Bashkuara njohën Pekinin si e vetmja qeveri e ligjshme e Kinës, duke pranuar edhe qëndrimin kinez se ka vetëm një Kinë dhe se Tajvani është pjesë e Kinës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se kjo politikë është themeli i marrëdhënieve amerikano-kineze dhe i bëri thirrje zotit Trump “të kuptojë seriozitetin e kësaj çështjeje”.

Gazeta e kontrolluar nga shteti Global Times e cilëson zotin Trump “naiv” që mendon se mund ta përdorë politikën ndaj Tajvanit për t’i bërë presionin Pekinit në negociatat tregtare dhe shton se ai “duhet të mësojë të sillet me modesti në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Kjo gazetë ngre mundësinë se nëse zoti Trump mbështet pavarësinë e Tajvanit apo shitjen e armëve në Tajvan, Kina “nuk do të ketë motive për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në marrëdhënie ndërkombëtare” dhe do të kundërpërgjigjej duke mbështetur ushtarakisht dhe me mënyra të tjera kundërshtarët e Amerikës.

Gjatë një interviste të dielën për rrjetin Fox News, zoti Trump i doli në mbrojtje bisedës telefonike që zhvilloi disa ditë më parë me Presidenten e Tajvanit Tsai Ing-wen, kontakti i parë mes një udhëheqësi tajvanez dhe një presidenti amerikan apo presidenti të zgjedhur amerikan që nga 1979, kur Shtetet e Bashkuara pranuan ta njohin pretendimin territorial të Kinës mbi Tajvanin përmes politikës “një Kinë e vetme”.

Zoti Trump ka thënë gjithashtu se nuk do që të dëgjojë nga Kina sugjerime se si duhet të veprojë.

"Nuk e kuptoj përse duhet të imponohemi nga politika “një Kinë e vetme” nëse nuk kemi më parë oferta nga Kina në aspekte të tjera, përfshirë tregtinë,” tha zoti Trump.

Presidenti i zgjedhur e ka kritikuar Kinën lidhur me politikat monetare, militarizimin në Detin e Kinës së Jugut dhe qëndrimin pasiv ndaj provave bërthamore të fqinjit të saj, Koresë së Veriut.

"Kina po na dëmton rëndë duke zhvlerësuar monedhën, duke vënë tarifa të rënda mbi mallrat tona, ndërkohë që ne nuk i taksojmë mallrat e tyre, duke ndërtuar një fortesë masive në Detin e Kinës së Jugut, që është e papranueshme dhe duke mos na ndihmuar me Korenë e Veriut,” tha zoti Trump. “Në Korenë e Veriut është problemi i armëve bërthamore dhe Kina mund ta zgjidhë këtë problem, por nuk po na ndihmon aspak”.

Deklaratat e zotit Trump nuk reflektojnë realitetin aktual në lidhje me tarifat kineze dhe amerikane mbi mallrat e import-eksportit mes dy vendeve. Kina vendos tarifa nga 5-9.7% mbi mallrat amerikane, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë tarifa nga 2.5-2.9%.

Zoti Trump tha se do të kishte treguar mungesë respekti po të mos kishte pranuar t’i përgjigjej telefonatës së udhëheqëses tajvaneze që e kishte marrë për ta përgëzuar për fitoren në zgjedhje. Ai shtoi se ishte njoftuar se do të merrte telefonatë nga presidentja e Tajvanit disa orë përpara dhe jo me javë të tëra siç është thënë në median amerikane.

“Ishte një telefonatë shumë e këndshme, e shkurtër. Përse një vend tjetër duhet të ketë të drejtën të më thotë se nuk duhet ta pranoj telefonatën?” – tha zoti Trump.

Kina e ka kritikuar zotin Trump që iu përgjigj telefonatës, por ende nuk ka reaguar ndaj komenteve të tij në intervistën e fundit. Pas bisedës telefonike të zotit Trump me udhëheqësen tajvaneze, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë i siguruan zyrtarët kinezë se politika “një Kinë e vetme” që ndjek Uashingtoni mbetet në fuqi.

Gjatë intervistës, zoti Trump tha se nuk ka nevojë për informim të përditshëm nga shërbimet e zbulimit, pasi ai i quajti sesionet e përditshmme si informata të përsëritura.

“Unë jam i zgjuar,” tha zoti Trump. “Nuk kam nevojë të dëgjoj të njëjtat gjëra në të njëjtat formulime çdo ditë për tetë vjet radhazi. Ka gjasa që të jem në udhëheqje tetë vjet dhe nuk kam nevojë për këtë informacion. U kam thënë ‘Nëse ka diçka të re, më informoni’.”

Ai tha se kur të bëhet president më 20 janar, tre fëmijët e tij më të rritur dhe drejtuesit e kompanisë Trump do të administrojnë pronat e tij dhe se ai nuk do të përfshihej fare në këtë administrim. Por ai nuk tha se do të hiqte dorë nga interesat e tij të biznesit, gjë që është theksuar si e domosdoshme nga kritikët e tij, në mënyrë që të shmanget konflikti i interestit mes biznesit dhe vendimeve që ai duhet të marrë si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump planifikon të bëjë një deklaratë të enjten lidhur me mënyrën si do të distancohet nga Organizata Trump kur të bëhet president.

Ai ka thënë se do të mbajë një mendje të hapur lidhur me temën e ndryshimeve klimatike dhe nëse Shtetet e Bashkuara duhet t’u përmbahen angazhimeve në Marrëveshjen e Parisit për të ulur gazet ndotëse që sipas shkencëtarëve shkaktojnë rritjen e temperaturës së planetit.

XS
SM
MD
LG