Lidhje

Trump rrit dozën e deklaratave kundër Koresë se Veriut


Presidenti Donald Trump bëri të enjten një paralajmërim të ri ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se deklarata e tij për "zjarr dhe furi" "nuk ishte mjaftueshëm e fortë".

Duke folur me gazetarët, zoti Trump tha se Koreja e Veriut "duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera".

Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey përpara një takimi me këshilltarët e lartë lidhur me çështje të sigurisë.

Deklarata e zotit Trump vjen pas paralajmërimit të bërë prej tij më herët gjatë kësaj jave se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.

Përpara reagimit të fundit të presidentit

Koreja e Veriut tha të enjeten se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.

Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.

Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.

Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.

Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me "zjarr dhe furi" nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi "tërësisht të pakuptimtë".

Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se "dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të."

Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG