Lidhje

Trump zbut qëndrimin ndaj Kryeministres britanike


Presidenti i SHBA, Donald Trump tha në Londër pas takimit të premten me kryeministren britanike Theresa May se një intervistë e publikuar më parë gjatë ditës në një gazetë britanike ishte "lajm i rremë". '

Gjatë një konference për shtyp me zonjën May, ai e zbuti qëndrimin e tij, duke thënë se e respekton qasjen e kryeministres në çështjen Brexit.

Zonja May tha se tërheqja e Britanisë nga Bashkimi Europian nuk do të ndikojë negativisht në tregtinë me SHBA apo partnerë të tjerë globalë.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministren May në Londër, Presidenti Donald Trump tha se një intervistë e publikuar më parë gjatë ditës në një gazetë britanike ishte "lajm i rremë".

"Nuk e kritikova kryeministren. Kam shumë respekt për të. Për fat të keq u publikua një njoftim në gazetë, që ndonëse përgjithësisht qëndron, nuk përmend ato që thashë për kryeministren dhe në fakt thashë gjëra shumë të mira për të", iu përgjigj Presidenti Trump pyetjeve të gazetarëve.

Takimi mes dy udhëheqësve mbeti në hije për shkak të një interviste që Presidenti Trump i kishte dhënë më parë gazetës britanike The Sun, duke kritikuar zonjën May për qasjen e saj ndaj çështjes Brexit, duke lavdëruar ish-ministrin e saj të jashtëm si kandidat i mirë për ta zëvendësuar zonjën May si dhe duke fajësuar emigrantët në Londër për kriminalitetin në qytet.

Zoti Trump paralajmëronte Kryeministren May në intervistë se një marrëveshje tregtare e ardhshme me Britaninë nuk do të ishte e mundur nëse Britania do të bënte një dalje të butë nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, Presidenti Trump e zbuti pozitën e tij gjatë konferencës së shtypit, duke thënë se ai e respekton qasjen e zonjës May për çështjen Brexit.

Nga ana e saj, zonja May tha se tërheqja e Britanisë nga Bashkimi Europian nuk do të ndikojë negativisht në tregtinë me SHBA apo me partnerë të tjerë globalë.

"Nuk do të ketë asnjë kufizim për mundësinë që ne të bëjmë marrëveshje tregtare me vendet e tjera pas largimit nga Bashkimi Evropian", tha ajo.

Të dy udhëheqësit u takuan në Pallatin Chequers ku diskutuan mbi politikën e jashtme, duke përfshirë Lindjen e Mesme, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë. Në fillim të diskutimeve, presidenti u tha gazetarëve se marrëdhënia midis Britanisë dhe SHBA mbetet "shumë e fortë".

Zoti Trump vizitoi Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst para se të shkonte në Pallatin e shekullit të 16 Chequers.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG