Lidhje

Trump kritikon ashpër senatorin McCain


Presidenti Donald Trump kritikoi Senatorin John McCain në një miting politik në Alabama, për kundërshtimin e përpjekjes së kohëve të fundit të Partisë Republikane për zëvendësimin e ligjit të shërbimit shëndetësor.

Gjatë fjalës së mbajti në një takim fushate për senatorin republikan Luther Strange, Trump tha se kundërshtimi i zotit McCain ishte diçka “e trishtueshme” dhe “e tmerrshme”.

"Do ta kemi më të vështirë pa votën e zotit McCain" tha Trump, por shtoi ai, “Kemi për ta realizuar objektivin tonë”.

Presidenti Trump i vazhdoi sulmet ndaj Senatorit të Arizonës përmes disa twiteve të shtunën në mëngjes. Në njërin prej tyre ai shkruante:

"John McCain nuk pati asnjëherë si qëllim ta votonte ligjin, të cilin guvernatori i tij e mbështet shumë. Ai pati zhvilluar fushatë kundër Obamacare, me veprimin e tanishëm e la në baltë Arizonën.”

[[ https://twitter.com/realDonaldTrump/status/911541328013676544 ]]

Senatori McCain ja bëri të njohur republikanëve kundështimtin e tij të premten, për zëvendësimin Aktin të Shërbimit Shëndetësor të Përballueshëm, që njihet si Obamacare, arritja e rëndësishme e ish Presidentit Obama në politikën e brendshme.

Senatori 81-vjeçar, i cili po lufton me kancerin në tru, tha se atë nuk e lejonte ndërgjegja të votonte për një ligj, që do të ndryshonte pjesë të konsiderueshme të “Obamacare” dhe do t’i zëvendësonte ato me grante për shtetet e veçanta, që t’i formulonin vetë programet individuale të shërbimit shëndetësor.

Kundërshtimi i zotit McCain rrezikon ta hedhë poshtë propozimin e ri dhe shumë vite përpjekjesh të republikanëve për ta prishur dhe zëvendësuar atë.

Një numër i madh organizatash mjekësore dhe një grup dypartiak guvernatorësh shtetesh janë gjithashtu kundër propozimit të republikanëve, duke argumentuar se ai do të linte miliona njerëz të humbnin sigurimin shëndetësor, ose t’u pakësohej mbulimi i disa shërbimeve shëndetësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG