Lidhje

Trump përsërit dyshimet se është përgjuar gjatë fushatës


Presidenti amerikan sulmoi përsëri të enjten hetimet që po zhvillohen ndaj fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, duke lënë të kuptohet se akti që autorizonte ligjin për zbulimin amerikan ishte shfrytëzuar për “të survejuar keq dhe për abuzuar” procesin për zgjedhjen e tij.

Trump nuk dha fakte se ka patur përgjime. Por ai tha se “Akti Për Survejimin e Zbulimit të Huaj “mund të jetë përdorur” për të vëzhguar fushatën e tij, krahas me ndihmën “e dosjes së rreme dhe të diskredituar” të hartuar nga operativë të paguar nga rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, për të mbledhur informacione mbi lidhje të mundshme të fushatës Trump me Rusinë.

Në komentet që bëri në Twitter lidhur me fushatën e tij që përfundoi 15 muaj më parë, zoti Trump citoi një sugjerim të emisionit të tij preferurar të mëngjesit “Fox and Friends”, duke thënë ka një “Dosie me spiunime për fushatën Trump. A përdori FBI-ja shërbimet e zbulimit për të ndikuar tek zgjedhjet?”, duke ju referuar Byrosë Federale të Hetimeve, që është agjencia kryesore e hetimeve kriminale që kanë Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump po ashtu shtroi pyetjen retorike: “A i paguan gjithashtu rusët demokratët, apo Clinton? Ku janë fshehur, apo zhdukur serverat kompjuterikë të Komitetit Kombëtar Demokrat? Ku gjenden emailet e Hillarit mashtruese? Çfarë rrëmuje!”

Disa muaj më parë, Trump e pati akuzuar ish presidentin Barack Obama për përgjime në zyrat e fushatës së tij në Kullën Trump në Nju Jork, një pretendim që u hodh poshtë si i pavërtetë nga zyrtarët amerikanë të zbulimit.

Zoti Trump i bëri këto komente për aktin e survejimit, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve pritet të enjten të votojë për një pjesë të rëndësishme të ligjit, që i lejon Agjencisë Kombëtare të Sigurisë që të grumbullojë tekste dhe emaile të të huajve jashtë vendit pa autorizim, edhe kur ata komunikojnë me amerikanët.

Udhëheqësi amerikan tha se megjithë shqetësimet e tij lidhur me mundësinë e survejimit të fushatës së tij, ai mbështet rinovimin e ligjit të përgjimeve.

Ai tha se votimi në Dhomën e Përfaqësuesve ka të bëjë me “survejimin jashtë vendit të njerëzve të ligj. Ky ligj na duhet”- tha Presidenti.

Trump: nuk duken gjasa që të intervistohem nga Mueller

Presidenti amerikan Donald Trump tha se "nuk duket të ketë gjasa" që ai të intervistohet nga prokurori i posaçëm Robert Mueller lidhur me hetimin që po bën zoti Mueller ndaj akuzave se fushata presidenciale e zotit Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë. Sipas disa njoftimeve, zoti Mueller u ka thënë avokatëve të Presidentit Trump se ekipi i tij do të donte ta intervistonte presidentin si pjesë e hetimit. Zoti Trump e ka quajtur hetimin një "manovër e demokratëve”.

"Meqë nuk ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë dhe askush nuk ka gjetur diçka të tillë, duket se nuk ka fare gjasa për t’u intervistuar.”

Zoti Trump i bëri komentet të mërkurën në një konferencë shtypi, pas një takimi me kryeministren norvegjeze Erna Solberg.

Zoti Trump e ka quajtur hetimin një "manovër e demokratëve”.

Deri tani, hetimi ka rezultuar në një padi ndaj ish-drejtuesit të fushatës së zotit Trump, Paul Manafort dhe një pranim fajësie nga ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Flynn.

Po dje, Presidenti Trump e quajti hetimin "gjuetia më e madhe e shtrigave në historinë amerikane".

Zoti Trump sulmoi gjithashtu ashpër Senatoren Demokrate të Kalifornisë, Dianne Feinstein, e cila publikoi të martën tekstin e një interviste që dha në senat në muajin gusht kreu i kompanisë Fusion GPS, Glenn Simpson. Fjala është për kompaninë e cila hartoi dosjen që përmbante aludime për një bashkëpunim të fshehtë mes fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë.

Firma e zotit Simpson punësoi ish-agjentin britanik Christopher Steele, për hartimin e dosjes. Kërkimet për dosjen u financuan nga demokratët, duke përfshirë fushatën e rivales së zotit Trump në zgjedhje, Hillary Clinton.

Zoti Trump ngul këmbë se hetimet rreth një bashkëpunimi të fshehtë me Rusinë janë një justifikim i demokratëve për të shpjeguar fitoren e tij ndaj zonjës Clinton.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG