Lidhje

Takim Trump-Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Donald Trump i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që Izraeli të pezullojë për një farë kohe vendbanimet hebraike.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zotin Netanjahu në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se zgjidhja me formulën e dy shteteve duket se do të ishte më e lehta për Izraelin dhe palestinezët, por shtoi se nëse dy palët gjejnë një alternativë që u pëlqen më shumë, ai do ta mbështeste atë.

Qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara prej kohësh ka qenë arritja e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe palestinezëve për dy shtete të veçanta, sipas së cilës palestinezët do të kontrollonin Gazën, të gjithë ose një pjesë të Bregut Perëndimor dhe kryeqyteti i tyre të ishte Jeruzalemi Lindor.

Edhe Kombet e Bashkuara kanë mbështetur zgjidhjen me dy shtete.

Zoti Trump tha gjithashtu se do të donte të shihte zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, por shtoi se “ne po e shqyrtojmë këtë çështje me kujdes të madh.''

Në deklaratën e hapjes gjatë një konference të përbashkët shtypi, Presidenti Trump tha se Izraeli nuk ka aleat më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të mirë se Izraeli.

Nga ana e tij, Kryeministri izraelit bëri thirrje për të shfrytëzuar momentin për të kërkuar rrugë të reja të paqes në Lindjen e Mesme.

XS
SM
MD
LG