Presidenti Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të rifillojnë në çdo kohë stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut dhe Japoninë nëse nuk ka përparim në çështjen e çnuklearizimit të Koresë së Veriut. Ai paralajmëroi gjithashtu se "ato do të jenë shumë më të mëdha se ndonjëherë më parë".
Presidenti Trump e bëri deklaratën e Shtëpisë së Bardhë mbrëmë nëpërmjet Twitterit, duke fajësuar Kinën për vështirësitë në marrëdhëniet e SHBA me Korenë e Veriut.
Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze i quajti komentet e Presidentit Trump "të papërgjegjshme" dhe konfuze. Ajo tha se SHBA duhet që së pari të shikojnë veten e tyre përpara se t’ua hedhin fajin të tjerëve për mungesë përparimi me Phenianin.
Presidenti Trump, megjithatë, la të kuptohet se ekziston ende mundësia për përparim diplomatik duke thënë se ai "beson që marrëdhënia e tij me Kim Jong Un-in është shumë e mirë dhe e ngrohtë" dhe nuk sheh "asnjë arsye tani për tani" që të shpenzohen para për stërvitjet e përbashkëta me Korenë e Jugut.
Në Samitin e Singaporit në qershor, zoti Trump mori vendimin e papritur për të pezulluar stërvitjet e përbashkëta pasi Kim Jong Un bëri një premtim të gjerë për "të punuar drejt çnuklearizimit të plotë të gadishullit Korean".
Komentet e Presidentit Trump vijnë një ditë pasi sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Pentagoni po shqyrton rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut vitin e ardhshëm.
Zoti Mattis tha një konferencë shtypi në Pentagon se pezullimi i stërvitjeve këtë verë ishte një "gjest mirëbesimi" ndaj Koresë së Veriut, por se ky nuk është një angazhim që mund të vazhdojë pa fund.
Facebook Forum