Lidhje

Obamacare, objekti i urdhrit të parë ekzekutiv të Presidentit Trump


Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi urdhrin e parë ekzekutiv të premten, pak pasi bëri betimin si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, duke udhëzuar agjencitë federale që të lehtësojnë rregullat që kanë të bëjnë me reformën shëndetësore të ish-Presidentit Barack Obama.

Zoti Trump e nënshkroi urdhrin në Zyrën Ovale në praninë e nënpresidentit Mike Pence dhe shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë Reince Priebus, që tha se urdhri kishte si qëllim “të lehtësonte barrën ekonomike” të legjislacionit për kujdesin shëndetësor të vitit 2010, të njohur si Obamacare, “në pritje të shfuqizimit të tij”.

Zoti Trump e kundërshtoi ligjin e kujdesit shëndetësor gjatë gjithë fushatës dhe ka premtuar shumë here se do ta shfuqizojë dhe do ta zëvendësojë atë.

Nuk u dhanë detaje të tjera për përmbajtjen e urdhrit.

Zoti Trump nënshkroi gjithashtu formalisht konfirmimet e Sekretarëve të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, James Mattis dhe John Kelly.

Presidenti i ri foli shkurtimisht me gazetarët për ditën e parë në detyrë:

"Ishte një ditë e ngarkuar, por e mirë. Ishte ditë e bukur”, tha ai.

Më pas nënpresidenti Pence drejtoi ceremoninë e betimit të dy sekretarëve të rinj në një ceremoni të veçantë.

Të dy dhomat e Kongresit, që tani kontrollohen nga republikanët, e kanë filluar procesin e shfuqizimit të reformës shëndetësore. Ato miratuan një rregull procedurial për buxhetin që krijon mundësinë që ligji për kujdesin shëndetësor të ndryshohet nga një shumicë e thjeshtë.

Ligji i Kujdesit shëndetësor i miratuar në vitin 2010, solli si rezultat mbulimin me sigurim shëndetësor të 20 milionë amerikanëve, por është shoqëruar edhe me probleme, si rritja e pagesës për ata që kishin sigurime dhe vendimet e disa kompanive private të sigurimeve për të dalë nga sistemi.

XS
SM
MD
LG