Presidenti amerikan Donald Trump ka hapur konflikte të reja me një numër zyrtarësh publikë në qytete të mëdha amerikane, pas tërheqjes nga Marrëveshja e Parisit. Kryebashkiaku i Pitsburgut, një ndër qytetet kryesore të shtetit të Pensilvanisë, është shprehur personalisht i fyer nga fjalët e presidentit të enjten. “Më kanë zgjedhur për të përfaqësuar banorët e Pitsburgut dhe jo banorët e Parisit” u shpreh zoti Trump në fjalën e tij kur njoftoi se po tërheq Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja për klimën.
Kryebashkiaku i Pitsburgut Bill Peduto tha se ishte ofenduar nga këto komente që e prezantojnë qytetin e tij me një stereotip të vjetëruar, si qytet “të vjetër, të ndotur, që e ka varur mbijetesën tek qymyrguri dhe metalurgjia”.
Pitsburgu ka qenë dekada më parë një qytet i fuqishëm me një koncentrim të lartë të industrisë së rëndë, por me zhvendosjen e këtij sektori jashtë Shteteve të Bashkuara, pas një periudhe të vështirë papunësie të lartë, Pitsburgu është shndërruar në një qendër shkencash kompiuterike, avancimesh mjekësore e biologjike.
Zoti Peduto tha se komentet e presidentit lënë në harresë 30 vjet përpjekje të Pitsburgut për të rilindur si një qytet modern dhe i pastër. Ai postoi një koment në Twitter ku thotë se ka nxjerrë urdhër ekzekutiv për të shtuar edhe më tej efikasitetin e përdorimit të energjisë. Një numër zyrtarësh në nivele lokale janë zotuar të vazhdojnë nisma për energji të pastër, pas njoftimit të presidentit për daljen nga Marrëveshja e Parisit.
Facebook Forum