Lidhje

Sondazhi: Mbështetja për presidentin Trump e pandryshuar


Shkalla e miratimit të punës që po bën presidenti Donald Trump ka mbetur në nivelin e rreth 40 për qind, që nga koha kur mori zyrtarisht detyrën në janar. Kjo falë mbështetjes së fortë të republikanëve, të cilët nuk e shohin zotin Trump si përgjegjës për dështimin e përpjekjes për të zëvendësuar sistemin e kujdesit shëndetsor.

Një sondazh i ri i kryer nga rrjeti mediatik CBS në periudhën 25 mars deri më 28 mars, tregon se 40 për qind e amerikanëve e miratojnë punën që po bën zoti Trump. Një shifër përgjithësisht e pandryshuar nga 39 për qind që kishte në fund të shkurtit dhe 40 për qind në fillim të po atij muaji.

Sipas republikanëve të anketuar, faji për dështimin e zëvendësimit të “Obamacare” qëndron tek projektligji që u propozua dhe jo tek mënyra sesi presidenti trajtoi një prej premtimeve të tij kryesore të fushatës.

49 për qind e të anketuarve thanë se projektligji dështoi sepse "nuk kishte mbështje të gjerë". Mes republikanëve 41 për qind dhanë të njëjtën përgjigje.

30 për qind e republikanëve thanë se projekt-ligji nuk siguroi mbështetje të mjaftueshme pasi "demokratët nuk ranë dakort për kompromis". Vetëm 14 për qind e të gjithë të intervistuarve dhanë të njejtën përgjigje.

40 për qind e amerikanëve, duke përfshirë 67 për qind të demokratëve, besojnë se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 me qëllim për të ndihmuar Donald Trumpin të fitojë. Me këtë vlerësim pajtohen vetëm 13 për qind e republikanëve.

Shumica e demokratëve dhe të pavarurve besojnë se është e mundshme që bashkëpunëtorët e Donald Trumpit të kenë patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarë të qeverisë ruse. Por tre të katërtat e republikanëve nuk besojnë se këto kontakte kanë ndodhur.

Ndërsa shumica e amerikanëve thonë se FBI-ja duhet të hetojë lidhjet e mundshme mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë, me këtë qëndrim bien dakord vetëm një e treta e republikanëve.

Shumica e të anketuarve me bindje republikane besojnë se zyra e zotit Trump mund të jetë përgjuar gjatë fushatës. Gjysma e të anketuarve, pa bindje politike, gjithashtu besojnë se është përgjuar, ndërkohë që shumica e demokratëve mendojnë që jo.

Anketa tregon vlerësim të madh nga republikanët për punën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. 60 për qind e republikanëve e miratojnë punën e tij krahasuar me 33 për qind të të gjithë të anketuarve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG