Lidhje

Trump: Kemi dërguar ndihma të jashtëzakonshme për Porto Rikon


Presidenti Donald Trump thotë se qeveria ka dërguar sasi "të jashtëzakonshme" ushqimi dhe furinizimesh për ishullin e Porto Rikos, pas kritikave se administrata federale nuk është angazhuar sa duhet për të ndihmuar banorët pas uraganit Maria.

Zoti Trump tha në komentet për shtyp sot në Shtëpinë e Bardhë se "është për t'u mahnitur sa shumë kemi bërë brenda një kohe shumë të shkurtër në Porto Riko".

Presidenti tha se ishulli ka ndeshur një numër sfidash pas uraganit shkatërrimtar, për shkak të infrastrukturës së dobët në ishull.

Nesër Presidenti Donald Trump do të vizitojë Porto Rikon. Vizita e tij vjen pas një serie komentesh të ashpra të postuara në Twiter ndaj mënyrës se si autoritetet lokale po e menaxhojnë situatën pas stuhisë dhe në veçanti ndaj kryetares së bashkisë së kryeqytetit. Kjo e fundit ka qenë mjaft kritike ndaj ndihmës federale të ofruar deri më tani.

Me mijëra njerëz e ushtarakë janë mobilizuar në shpërndarjen e ndihmës së nevojshme në Porto Riko.

"Sot do të marrim pak më shumë se dy milionë racione dhe ndoshta rreth një milion e gjysëm litra ujë", thotë John Rabin, administratori në detyrë rajonal për FEMA-n.

Por kryetarja e bashkisë së kryeqytetit të Porto Rikos, San Juanit, thotë se për shumë në ishull, nuk janë plotësuar nevojat themelore që ata kanë.

"Kryetarët e bashkive në të gjithë Porto Rikon shkojnë në zonat e furnizimit dhe u thonë,-na telefononi pak ditë më vonë. Njerëzve u thuhet të regjistrohen në internet për ndihmat që vijnë prej FEMA-s, kur ne nuk kemi internet", thotë Carmen Yulin Crus kryetare e bashkisë së San Juanit

Kritika të tilla nuk i kanë shpëtuar presidentit republikan Donald Trump, i cili ka postuar një seri tweetesh duke sulmuar "aftësinë udhëheqëse" të kryebashkiakes demokrate dhe duke thënë se portorikanët duan gjithshka gati. Presidenti Trump këmbëngul se personeli federal "po bën punë të shkëlqyer"

"Portorikanët po stigmatizohen si dembelë, por në realitet ne po bëjmë gjithçka është e mundur për të ndihmuar veten tonë”, thotë Pedro Hernandez banor i San Juanit.

Autoritetet që po merren me shpërndarjen e ndihmës thonë se janë të përqendruar tek detyra që u është ngarkuar.

"Nuk do të kënaqemi derisa situata të stabilizohet e të jetë e qëndrueshme. Po bëjmë gjithshka që është e mundur. Nuk është vetëm çështja të sjellim ndihmë në ishull, por edhe ta shpërndajmë. Na duhet gjithashtu të bëjmë shumicën e punës me shpërndarjen për shkak të kapacitetit të ulët në nivel lokal. Ata janë goditur rëndë”, thotë Brock Long, administrator i FEMA-s.

Ashtu siç vizitoi Teksasin pas Uragani Harvey, Presidenti Trump do të shkojë nesër në Porto Riko. Detajet e udhëtimit nuk janë bërë të ditura ende.

"Shpresoj që presidenti të ketë rast të shkojë në zonat më të shkatërruara, të ketë realisht mundësinë t’i shohë njerëzit nga afër, fytyrat e tyre se si pine ujë nga përrenjtë”, thotë Carmen Yulin Crus kryetare e bashkisë së San Juanit

Shumë portorikanë janë pa energji elektrike dhe po përballen me radhë të gjata për të siguruar pak karburant. Rindërtimi i plotë i ishullit do të kërkojë shumë vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG