Takimi i parë ballë për ballë këtë javë i presidentit Donald Trump me homologun rus Vladimir Putin do të jetë i mbushur me intriga globale, por Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka "axhendë specifike".
Në mungesë të një liste të caktuar temash, janë ngritur pyetje se çfarë kanë parashikuar të diskutojnë dy udhëheqësit.
Presidenti Trump, i cili preferon të shënojë arritje në takime të profilit të lartë, mund të kërkojë disa lëshime nga Rusia si dëshmi e përparimit dhe rivendosjes së një marrëdhënieje produktive ndërmjet dy fuqive. Presidenti Putin është pothuajse e sigurtë se do të donte diçka në këmbim. Ekziston një listë e gjatë çështjesh problematike mes dy vendeve që dy udhëheqësit do të duan t’i zgjidhin.
Sipas një zyrtari aktual dhe një ish zyrtari të administratës që folën në kushte anonimiteti, anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe ata të Departamentit të Shtetit kanë rishikuar se çfarë mund t’i ofrojë Amerika Rusisë si pjesë e takimit.
Çdo shenjë e jashtme e shprehjes së miqësisë mes zotit Trump dhe atij Putin do të kapet menjëherë nga kritikët e presidentit që e sulmojnë presidentin se po tregohet i butë ndaj udhëheqësit rus.
Në vëmendje do të jenë edhe hetimet në vazhdim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.
Takimi i dy udhëheqësve pritet të ndodhë në Hamburg të Gjermanisë, ndërsa marrin pjesë në takimin e Grupit të Njëzetëshes.
Facebook Forum