Lidhje

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë hetime për familjarët e Presidentit Trump


Ligjvënës amerikane që janë duke hetuar lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar, po i kërkojnë djalit të Presidentit Trump, Donald Trump, Jr., që të dëshmojë lidhur me takimin e tij në Kullën Trump në Nju Jork, në qershor 2016 me një avokate ruse, e cila mendohet të ketë patur informacione që mund ta dëmtonin fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i kërkoi ekipit të zotit Trump që t’i bëjë të njohura të gjitha komunikimet që lidhen me hetimin ndaj Rusisë.

“Kjo është një çështje serioze. Zbulimi i fakteve se fushata e zotit Trump ka synuar të bashkëpunojë me Rusinë është shqetësuese. Shkelje në financimin e fushatave, pranimi i disa shpërblimeve me vlerë, kërkimi për opozitën i dokumenteve dhe informacione nga një qeveri, apo shtetas i huaj, është si të mbledhësh fruta nga një pemë helmuese…”

Ndërsa kryetari republikan i Komisionit Juridik të Senatit po i kërkon

Donald Trump Jr-it që të dëshmojë lidhur me takimet e tij me juristen ruse, dhëndërri i Presidentit, Jared Kushner, pritet të dëshmojë në një seancë me dyer të mbullura.

Ligjvënësit demokratë po kërkojnë gjithashtu që zotit Kushner, këshilltar i afërt i presidentit, t’i hiqet imuniteti për sigurinë që ai disponon.

"Duket që në Shtëpinë e Bardhë nuk ekzistojnë standartet e etikës.

Jared Kushnerit duhet t’i hiqet menjëherë imuniteti i sigurisë”, shkruante në Twitter zonja Pelosi.

Edhe disa anëtarë të Partisë Republikane të zotit Trump kanë thënë se do të ishte në interesin e Presidentit, që ai t’i largojë të gjithë fëmijët e tij nga Shtëpia e Bardhë, përfshirë 36-vjeçarin Kushner, i cili është martuar me vajzën e madhe të Presidentit, Ivankën.

Në Washington, Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, Senatori republikan Charles Grassley, i dërgoi një letër djalit të Presidentit, ku i kërkonte që të dëshmojë lidhur me takimin e tij me juristen ruse, Natalia Veselnitskaya. Grassley tha se gjatë dëshmisë atij do t’i drejtohen pyetje të pa kufizuara.

Komisioni i drejtuar nga zoti Grassley është një prej disa paneleve të Kongresit që po hetojnë për lidhje të mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë, ndërkohë që Këshilltari i Posaçëm Robert Mueller, po drejton hetimin kriminal. Ai po heton mes të tjerash nëse Presidenti u përpoq të pengojë drejtësinë, duke pushuar nga puna drejtorin e FBI-së, James Comey.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Ryan, i bëri thirrje djalit të presidentit, që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së zotit Grassley për të dhënë dëshmi.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me presidentin francez Emmanuel Macron dje në Paris, presidenti Trump i doli në mbrojtje takimit të të birit me juristen ruse.

"Unë mendoj se për arsye praktike, shumica e njerëzve do ta kishin bërë këtë takim”, - komentoi Presidenti lidhur me vendimin e të birit për të biseduar me juristen. “Ky veprim i tij quhet kërkime për opozitën, ose për rivalin, diçka standarte në politikë; politika nuk është biznesi më i pastër në botë, por është e zakonshme të përpiqesh të marrësh informacione për rivalin.”- tha Presidenti.

Zoti Trump po përballet prej disa muajsh me hetime lidhur me kontaktet e ndihmësve të tij me rusët gjatë fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG