Lidhje

Trump: Sadam Hyseni dinte si të sillej me terroristët


Sadam Hyseni vdiq thuajse dhjetë vjet më parë. Ish-presidenti irakian u ekzekutua me varje pasi u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit në 2006.

Dje, Sadam Hyseni ishte një ndër temat kryesore në komentet e bëra në Twitter, pasi kandidati presidencial Donald Trump u shpreh me komplimenta për stilin e tij udhëheqës:

“Sadam Hyseni ishte njeri i lig, apo jo? Ishte vërtetë njeri i lig. Por ai bënte diçka shumë mirë. Ai vriste terroristë. Këtë e bënte aq mirë, nuk u lexonte të drejtat, nuk u jepte të drejtë të flisnin. Ai ishte terrorist, aq e kishte,” tha kandidati republikan para përkrahësve të tij.

Donald Trump ka bërë komente të ngjashme gjatë viteve të fundit. Në 2014 ai shkroi në Twitter se Iraku ishte tani vend më i rrezikshëm se gjatë kohës kur ishte nën Sadamin.

“Lufta ishte gabim, e kam thënë që në fillim. Bushi dhe Obama duhet të kërkojnë ndjesë,” shkruante Trumpi.

Por disa ditë pasi forcat amerikane e gjetën Sadamin të fshehur në një vrimë në tokë, pranë qytetit të Tikritit në dhjetor 2003, Trumpi dukej se po e mbështeste fushatën për rrëzimin e Sadam Hysenit nga pushteti.

“Ka nejrëz që janë dakord, ka që s’janë dakord, por ne, Amerika, jemi në Irak. Nëse kemi shkuar atje, duhet të rrëzojmë Sadam Hysenin,” tha ai në një intervistë për televizionin Fox News. “Ushtarët e arritën këtë, ndoshta jo aq shpejt sa duhej, por e gjetën Sadamin. Kjo ishte një ditë e madhe për vendin”.

Ish-presidenti George W. Bush, i cili ndërmori ndërhyrjen në Irak, përmendi si arsyetim shkeljen disa herë nga Iraku të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë rezolutën që nuk i lejon Irakut të lejojë operimin në tokë të vet të ndonjë grupi terrorist.

“Iraku vazhdon të mbështesë dhe strehojë organizata terroriste që ndërmarrin akte dhune kundër Iranit, Izraelit dhe vendeve perëndimore,” tha ai në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të 2002. “Disidentët irakianë jashtë vendit janë në shenjestër të atentateve. Në 1993, Iraku tentoi të vriste Emirin e Kuvaitit dhe një ish-president amerikan”.

Ish-presidenti për të cilin bëhej fjalë ishte babai i presidentit George Bush, i cili kishte qenë president gjatë kohës kur forcat amerikane udhëhoqën fushatën ushtarake për të dëbuar forcat e Sadam Hysenit nga Kuvajti. Presidenti Bill Clinton dha urdhër për goditje ajrore kundër selisë së agjencisë irakiane të zbulimit në Bagdat, pasi mblodhi prova të besueshme, siç u shpreh administrata Clinton, se Iraku ishte përgjegjës për komplotin për atentat.

Judith Yaphe, ish-analiste e lartë për Lindjen e Mesme për CIA-n informoi komisionin amerikan që zhvilloi hetime lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 se Iraku nën udhëheqjen e Sadam Hysenit ishte “një ndër vendet primare që sponsorizonin terrorizmin”.

“Bagdati sponsorizonte në mënyrë aktive grupe terroriste, u ofronte strehë, stërvitje, armatime, mbështetje logjistike dhe si shkëmbim kërkonte që këto grupe të kryenin operacione që urdhëronte Bagdati për objektivat e Sadamit”.

Analistja Yaphe thoshte se mbështetja përfshinte organizatën Abu Nidal dhe Frontin për Çlirimin e Palestinës, si dhe një shumë prej 25 mijë dollarësh që Sadam Hyseni i kishte ofruar familjes së çdo palestinezi që kryente sulme kundër izraelitëve.

“Regjini i Sadamit ishte mbi të gjitha një shfrytëzues i aftë i terrorizmit për të frikësuar irakianët dhe për të eliminuar kundërshtarët, si të vërtetë, ashtu edhe imagjinarë,” thoshte zonja Yaphe. “Shërbimet e shumëfishta të sigurisë në regjimin e Sadam Hysenit arritën me sukses të përmbushnin synimet e brendshme për të eliminuar kritikët, kundërshtarët, por edhe armiqtë jashtë vendit”.

Pas komenteve të zotit Trump të martën, ish-ambasadori irakian në Shtetet e Bashkuara Lukman Faily tha se kishte mbetur pa fjalë:

“Si diplomat, u përpoqa të mbaj distancë nga këto komente, por si irakian dhe si pjesëtar i një familjeje viktimë e spastrimit etnik të Sadamit, do t’i thoja të kontrollonte faktet,” shkruan ish-ambasadori në Twitter.

Kritika pati edhe nga fushata e Hillary Clintonit, rivalja e zotit Trump për zgjedhjet e nëntorit.

“Lëvdatat e Donald Trumpit për diktatorë brutalë me sa duket nuk njohin kufi. Ai ka lanvdëruar forcën që ka treguar Kina në masakrën e Sheshit të Tiananmenit; ka shprehur admirim për konsolidikim e përgjakshëm të pushtetit nga Kim Jong Un në Korenë e Veriut dhe vazhdimisht i ka thurur lëvdata Vladimir Putinit,” thotë këshilltari i zonjës Clinton, Jake Sullivan. “Lëvdatat e shfrenuara të zotit Trump për diktatorë brutalë dhe mësimet e shtrembëruara që duket se ka nxjerrë nga historia dëshmojnë përsëri sa i rrezikshëm mund të jetë ai në rolin e Komandantit të Përgjithshëm dhe sa i padenjë është për postin që kërkon”.

Nuk ka gjasa që Donald Trump të frenohet nga këto kritika. Gjatë gjithë fushatës ai e ka prezantuar veten si kandidati më i përshtatshëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve aktuale që paraqet Shteti Islamik në Irak.

XS
SM
MD
LG