Presidenti Donald Trump ndodhet përballë reagimeve të ashpra pas postimit të një tweet-i me nota fyese për një senatore demokrate të Nju Jorkut. Kirsten Gillibrand tha të martën se presidenti është duke u përpjekur ta bëjë atë të heshtë, pas thirrjeve për të dhënë dorëheqjen lidhur me akuzat e ngritura përsëri nga disa gra, që thonë se Trump i kishte ngacmuar seksualisht në të kaluarën. Një grup ligjvënësesh njoftuan të martën se po kërkojnë të hetohen akzuat për sjelljen e papërshtatshme seksuale të Donald Trumpit. Shtëpia e Bardhë i ka mohuar këto akuza.
Kirsten Gillibrand, senatore demokrate e Nju Jorkut, e zemëroi presidentin Trump me një tweet, ku ajo i bënte thirrje Kongresit të hetonte akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale nga më tepër se 17 gra. Në një përgjigje që dha të martën në mëngjes, presidenti e tha për senatoren Gillibrand se dikur i kishte shkuar në zyrë për t’i kërkuar kontribute financiare për fushatën. Gillibrand tha se këto ishin përpjekje të Donald Trumpit për ta bërë atë të ndjehej e turpëruar:
"Unë e shoh këtë si një koment seksist për të më fyer. Është pjesë e përpjekjes së Presidentit për të vënë epitete dhe kjo nuk ka për të më bërë të hesht. Ai nuk ka për t’i bërë dot të heshtin gratë që i kanë bërë atij rezistencë. Kjo nuk do t’i bëjë të heshtin miliona gra që e kanë ngritur zërin çdo ditë, që nga inaugurimi i tij për çështje për të cilat nuk janë dakord,”- tha senatorja.
Gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar disa gra thanë se Trump i kishte ngacmuar seksualisht në të kaluarën. Disa prej tyre folën përsëri të hënën, një javë pasi tre ligjvënës dhanë dorëheqjen për shkak të akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale.
“Zoti Trump më puthi disa herë në faqe dhe pastaj në buzë dhe kjo sjellje e tij ka patur ndikim në jetën time.”- tha një prej tyre.
“Ai filloi të më prekte nën fund dhe kjo ishte hera e fundit që unë vishja fund kur udhëtoja…”- tha një tjetër grua.
Duke filluar me producentin e Hollivudit Harvey Weinstein, disa persona publikë janë detyruar të japin dorëheqjen këtë vit, pasi i kanë akuzuar për ngacmime seksuale. Një grup grash demokrate në Kongres njoftuan të martën se kanë kërkuar të zhvillohet një hetim për sjelljen e papërshtatshme seksuale të zotit Trump.
"Abuzimet seksuale nuk kanë për t’u toleruar, qoftë personi një producent Hollivudi, kuzhinier i famshëm, anëtar i Kongresit, apo vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara,”- tha anëtarja demokrate e Kongresit, Lois Frankel.
Shtëpia e Bardhë të martën i hodhi poshtë akuzat se tweet-i i zotit Trump për senatoren Gillibrand kishte nuanca seksiste.
"Po të shohësh komentet e tjera të Presidentit në të shkuarën, ai ka përdorur të njëjtën terminologji edhe për burrat. Këto komente nuk janë aspak seksiste. Ai flet thjesht për një sistem difektoz, se qeveria jonë kontrollohet nga interesa të veçanta. Mendoj se nuk ka shumë njerëz si senatorja që përmend Presidenti, të cilët i kushtëzojnë veprimet e tyre nga kontributet politike”, - tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Donald Trump i fitoi zgjedhjet megjithë akuzat që kishin ngritur 17 gra ndaj tij, për sjellje të papërshtatshme seksuale.
Facebook Forum