Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Kubë nën Presidentin Trump

  • Michael Bowman

Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump premtoi se do të shfyqizonte disa elementë të marrëveshjes historike SHBA-Kubë për normalizimin e marrëdhënieve pas më shumë se 50 vjetësh. Zoti Trump tha se marrëveshja e 2014 e arritur nga Presidentët Barak Obama dhe Raul Kastro ishte “e njëanshme” në favor të qeverisë kubane.

Tani pritet që si president, Donald Trumpi t’i parashtrojë kërkesa të reja Havanës gjatë vizitës që ai ka planifikuar të bëjë të premten në Majami të Floridës.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson la të kuptohej të martën se administrata e Presidentit Trump ka në plan të “shtojë presionin ndaj regjimit komunist” duke shtrënguar disa nga lehtësimet për udhëtimet dhe tregtinë që bëri administrata e mëparshme.

Gjatë komenteve në një seancë me pyetje-përgjigje në Senat lidhur me buxhetin e Departamentit të Shtetit, Sekretari Tillerson tha se “synimi i përgjithshëm është që të lejojmë sa më shumë që të mundemi shkëmbime tregtare dhe të tjera”.

Zoti Tillerson vuri në dukje se çfarë përfitimesh ka sjellë ky shkëmbim për popullatën e Kubës prej 11 milionë banorësh. Shumë prej tyre po përfitojnë nga investimet e bizneseve amerikane dha nga shtimi i numrit të turistëve amerikanë që janë tre fishuar gjatë vitit të kaluar. Kjo rritje ishte rezultat i heqjes së Kubës nga e lista e vendeve që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si sponsorizuese të terrorizmit, rihapja e ambasadës amerikane në Havana dhe lehtësimi i kufizimeve në tregti dhe udhëtime.

Megjithatë, tha zoti Tillerson, “Mendojmë se kemi arritur përparim shumë të vogël në drejtim të ndryshimit të sjelljes së regjimit në Kubë dhe mënyrës se si autoritetet kubane i trajtojnë qytetarët e tyre. Ky regjim nuk ka aktualisht shumë motivacion që ta shtyjë të ndryshojë politikat”.

Ka gjasa që ndryshimet të përqëndrohen tek kufizimet në aktivitetin e biznesit që mund të bëjnë kompanitë amerikane me firmat kubane që kanë lidhje me ushtrinë, e cila kontrollon pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik në Kubë; si dhe kufizimi i udhëtimit të amerikanëve në Kubë, siç njoftojnë burime që janë në dieni të ndryshimeve të propozuara.

Mendohet që ndër kërkesat që do t’i parashtrojë administrata Havanës mund të jetë rritja e qasjes në internet dhe lirimi i të burgosurve, njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Presidenti Obama e lehtësoi embargon ndaj Kubës përmes urdhrave ekzekutivë, të cilët zoti Trump mund t’i anullojë me lehtësi. Vetëm Kongresi mund ta shfuqizojë përfundimisht enbargon që hyri në fuqi në 1962.

Presion për Imponimin e Kushteve më të Forta

Dy kongresmenë republikanë nga Florida, ku ka një komunitet të madh kubano-amerikanësh, kanë bërë thirrje për kushte më të forta për Havanën. Ata janë Senatori Marco Rubio dhe ligjvënësi Mario Diaz-Balart, të cilët pritet të shoqërojnë presidentin gjatë vizitës në Majami.

“I kemi diskutuar këto çështje me presidentin dhe ekipin e tij. Jam i bindur se presidenti do ta trajtojë Kubën si një vend diktatorial, ashtu siç është në realitet dhe se politika jonë në të ardhmen do të reflektojë faktin se nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara të bëjnë biznes me ushtrinë kubane,” tha Senatori Rubio.

Në fillim të muajit ligjvënësi Diaz-Balart tha për Zërin e Amerikës se kishte biseduar disa herë me presidentin, i cili kërkon që të forcohet “respektimi i të drejtave të njeriut, siguria e vendit dhe shteti ligjor”.

Mbështetje Dypartiake

Senatori Bob Corker, i cili kryeson Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë tha se i kuptonte argumentet pro dhe kundër lidhjeve më të forta me Kubën. Në një intervistë javën e kaluar me Zërin e Amerikës, ai tha se do të donte të shihte përparim.

Zoti Corker përmendi vizitën që zhvilloi vitin e kaluar në këtë ishull tropikal ku “25% e vendit tani është e angazhuar në një formë apo tjetër në sektorin privat, gjë që tregon rritje”.

Ai shprehu gjithashtu irritim mbi qëndrimin e zyrtarëve kubanë me të cilët ishte takuar. “Nëse kanë vullnetin për të dëshmuar se po acin përpara, mund të kemi përmirësim. Por nganjëherë duket sikur thjesht sepse amerikanët u thonë të marrin një drejtim të caktuar, ata bëjnë të kundërtën”.

Pjesa më e madhe e republikanëve e mbështesin idenë shkëmbimeve tregtare dhe turistike me Kubën, e cila ka përkrahje të gjerë në Kongres dhe tek publiku. Javën e kaluar, shtatë ligjvënës republikanë shkruan një letër në adresë të presidentit ku argumentonin se rivendosja e kufizimeve “do ta shtyjë Kubën më bashkëpunojë më ngusht me vende si Rusia dhe Kina,” siç njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Disidentët Diskutojnë mbi të Drejtat e Njeriut

Problemi më i madh që duhet të adresojnë autoritetet kubane është respektimi i të drejtave të njerit. Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch shkruan në raportin e fundit: “Qeveria kubane vazhdon të shtypë disidentët dhe të ndëshkojnë ata që bëjnë kritika publike” si dhe përdor torturat ose pushimet nga puna për t’u mbyllur gojën kritikëve.

Disidentët në Kubë kanë pikëpamje të ndryshme për ndikimin që ka pasur përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve kanë sjellë për Kubën “shtim të shtypjes dhe kërcënimeve me vdekje për opozitarët” thotë psikologu dhe gazetari Guillermo Farinas. Ai ka zhvilluar mbi 20 greva urie për të shprehur kundërshtim ndaj veprimeve të regjimit. Zoti Farinas tha për Zërin e Amerikës se “angazhimi në negociata me regjimin kuban por pa kërkuar asgjë prej tyre është gabim”.

Reinaldo Escobar, themelues i portalit mediatik 14ymedio tha për Zërin e Amerikës se hapja më e madhe është në të mirë të Kubës pasi shton kontaktet e kubanëve me të afërmit dhe miqtë në Shtetet e Bashkuara dhe sepse redukton “kërcënimet, shpagimet dhe keqkuptimet” diplomatike.

Por ai shtoi se përfitimet ekonomike nuk janë bërë ende realitet për pjesën më të madhe të kubanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG