Lidhje

Shtëpia e Bardhë hedh poshtë pretendimet e Stormy Daniels


Shtëpia e Bardhë u hodh në mbrojtje dje, pasi natën pararendëse ishte transmetuar intervista me aktoren e filmave pornografikë, Stormy Daniels e cila thotë se ka pasur një marrëdhënie jashtë-martesore me Donald Trumpin në 2006. Aktorja foli për detaje të njohjes së tyre në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të rrjetit CBS. Korrespondenti Jim Malone ka përgatitur materialin:

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Raj Shah u gjend përballë një mori pyetjesh lidhur me Stormy Daniels dhe marrëdhëniet që ajo thotë se ka patur me zotin Trump thuajse 12 vjet më parë.

“Për sa i përket intervistës, dua të them se presideti hedh poshtë qartësisht, me forcë dhe në mënyrë konsistente këto pretendime. I vetmi person që ka bërë deklarata që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën është ajo që bëri këto akuza”.

Në intervistën për dha për emisionin “60 Minutes”, aktorja foli me hollësi për marrëdhëniet me zotin Trump që ajo thotë se filluan në 2006.

Sipas aktores, në 2011 një person i panjohur iu afrua dhe e kërcënoi për ta bindur të mos fliste publikisht për lidhjet që ajo thotë se ka pasur me zotin Trump.

M’u afrua një burrë dhe më tha: “Mos u merr me Trumpin. Harroje ç’ka ndodhur”. Pastaj ai u përkul tek makina, pa nga vajza dhe më tha: “Sa fëmijë i bukur. Do të ishte mëkat sikur e ëma të pësonte diçka të keqe”. Pas këtyre fjalëve u largua”.

Avokati i Stormy Daniels, Michael Avenatti tha për kanalin ABC se së shpejti do të dalin hollësi të tjera:

“Do të ketë plot prova që do të dalin në dritë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. Kemi besim se kur të nxirren të gjitha faktet para popullit amerikan, ata do të mësojnë se çfarë ka ndodhur”.

Në një postim në Twitter të hënën, presidenti përmendi përhapjen e “lajmeve të rreme” por pa komente për intervistën.

Miku i presidentit, Christopher Ruddy bisedoi me zotin Trump gjatë fundjavës.

“Mund t’ju them atë që më tha ai mua. Ai tha se mendon që akuzat e Stormy Daniels ishin inskenim politik”.

Ekspertë ligjorë thonë se aktorja Daniels mund të dënohet me gjoba të rënda pasi ka shkelur marrëveshjen që kishte nënshkruar me avokatin e presidentit për të mos folur për zotin Trump.

Por shuma prej 130 mijë dollarësh që avokati i presidentit Michael Cohen i pagoi aktores mund të përbëjë shkelje të rregulloreve për fondet e fushatave thotë analisti politik David Abraham:

“Pagesa për të blerë heshtjen e aktores u realizua, së paku kështu mendohet, përmes fondeve të komisionit për fushatën Trump. Kjo pagesë do të përbënte shkelje të rregulloreve pasi komisioni nuk e ka deklaruar këtë shpenzim tek entitetet federale për zgjedhjet”.

Rrëfimet e aktores janë një tjetër kokëçarje për Shtëpinë e Bardhë ndërkohë që po bëhen ndryshime të rëndësishme në ekipin e sigurisë kombëtare.

John Bolton do të zëvendësojë H.R. McMaster si këshilltar i sigurisë kombëtare dhe Mike Pompeo do të marrë detyrën e Sekretarit të Shtetit pas largimit të Rex Tillersonit i cili u shkarkua nga Presidenti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG