Lidhje

Trump mohon njoftimet për grindje në ekipin e tij të tranzicionit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump po mohon njoftimet për grindje brenda ekipit të tij të tranzicionit dhe tha përmes Twitterit se është duke u zhvilluar “një proces shumë i organizuar” ndërsa ai zgjedh anëtarët e kabinetit të tij. Ai ka zëvendësuar tashmë guvernatorin e Nju Xhersit Chris Christie me nënpresidentin e zgjedhur Mike Pence si kreun e ekipit të tranzicionit. Ish kongresmeni Mike Rogers, një këshilltar i lartë i sigurisë kombëtare tha të martën se po largohet nga ekipi. Trump është kritikuar për zgjedhjen e tij të shefit strategjik të Shtëpisë së Bardhë dhe pyetjet vazhdojnë rreth rolit të tre fëmijëve të tij dhe të dhëndrit në këtë proces. Përveç kësaj, ai përballet me kundërshtime të vazhdueshme mes amerikanëve të zakonshëm që mendojnë se retorika e fushatës së tij ishte fyese dhe përçarëse.

Studentët e Universitetit Yale lanë mësimin të mërkurën në mbështetje të shokëve të tyre pa dokumenta. Organizuesit e protestave po kërkojnë që shkollat e tyre të strehojnë njerëz që mund të përballen me deportim. Në qytetin e Nju Jorkut, emri Trump u hoq nga tre godina me qera që ai i kishte dikur në pronësi, pasi 600 banorë nënshkruan një peticion kundër tyre.

"Pasi filloi të fliste me tone përçmuese ndaj grave dhe të bënte deklarata raciste, e denim se nuk do të ishim të sigurtë me emrin e tij në godinën tonë."

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio, i ngriti shqetësimet e qytetarëve gjatë një takimi prej më shumë se një orë me zotin Trump.

"Ai është njujorkez. E di se e do këtë qytet. Por mendova se ishte shumë e nevojshme të dëgjonte atë që ndjejnë qytetarët dhe është shumë e rëndësishme të dëgjonte përvojën tonë."

De Blasio tha gjithashtu se ai kishte pikëpyetje për zgjedhjen e Steve Bannon-it në postin e këshilltarit të lartë. Bannon ka qënë i lidhur me grupet konservatore të djathta që mbrojnë dhe nxisin nacionalizmin e bardhë, dhe si person i medias ka shprehur pikëpamjet e tij që shumë i shohin si raciste dhe kundër grave.

Disa ligjvënës republikanë e kanë kritikuar gjithashtu zotin Trump në të kaluarën por shfaqën një front të bashkuar të mërkurën.

"Nuk do të komentoja për zgjedhjet e zotit Trump të personelit të Shtëpisë së Bardhë."

Demokratët kanë filluar përpjekjet për të ripërtërirë partinë pas humbjes së papritur në zgjedhjet presidenciale. Senatori Charles Schumer, udhëheqësi i ri i pakicës në Senat, njoftoi udhëheqësit e rinj të zgjedhur të partisë të mërkurën.

"Mund t’i them amerikanëve këtë: 'Ne jemi gati të qëndrojmë përkrah republikanëve – duke punuar së shpejti me presidentin e zgjedhur Trump për çështje ku biem dakort. Por ne do të kundërshtojmë presidentin e zgjedhur kurdoherë që vlerat tona dhe përparimi që kemi bërë vihet në rrezik."

Kongresi i ri do të ketë një shumicë republikane në të dyja dhomat.

XS
SM
MD
LG