Lidhje

Presidenti Trump mbron përdorimin e Twitterit


Presidenti amerikan Donald Trump, e mori në mbrojtje faktin që përdor kaq shpesh komentet në Twiter, duke thënë se kjo është mënyra e tij për të arritur tek publiku pa u filtruar fjalët e tij përmes mediave tradicionale të lajmeve.

Zoti Trump tha sot se “Mediat e rreme po përpiqen shumë që unë të mos përdor mediat sociale. Ata e urrejnë faktin që unë jam në gjendje të përcjell mesazhin e ndershëm dhe të pafiltruar".

Në një tjetër postin në Twitter ai tha: “Më falni, por po të isha mbështetur tek lajmet e rreme të CNN-it, NBC-së, ABC-së, CBS-it, Uashington Postit dhe Nju Jork Times-it, nuk do të kisha pasur asnjë shans të fitoja Shtëpinë e Bardhë”.

Në fakt nuk janë gazetarët që mbulojnë Shtëpinë e Bardhë ata që kritikojnë përdorimin e medias sociale nga Presidenti, por disa ndihmës dhe anëtarë republikanë të Kongresit kanë sugjeruar shpesh se zoti Trump duhet të reduktojë postimet e tij për çdo gjë që i shkon ndër mend në moment, gjë që ai e bën në çdo orë të ditës. Disa nga ndihmësit e zotit Trump janë pyetur me këmbëngulje që të shpjegojnë se ç’donte të thoshte ai në disa nga postimet në Twitter.

Në serinë e fundit të komenteve të tij në Twitter këtë javë, presidenti Trump citoi gabim kryetarin mysliman të Bashkisë së Londrës dhe më pas e sulmoi për masat pas sulmeve në kryeqytetin britanik, kritikoi Departamentin e Drejtësisë, që është pjesë e kabinetit të tij për hartimin e një versioni të "zbutur" të ndalimit të udhëtimeve që zoti Trump nënshkroi kur urdhri i tij i parë u kundërshtua në gjykatë, dhe sulmoi gjykatat amerikane si “të ngadalta dhe politike”.

Mbrojtja që i bëri Presidenti Trump përdorimit të Twitter-it erdhi një ditë pasi një nga këshilltarët e tij, Kellyanne Conway, kritikoi median amerikane se ishte e fiksuar të mbulonte çdo gjë që ai thoshte në Twitter dhe jo se çfarë bën ai si president.

Sebastian Gorka, një zyrtar i lartë për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, u përpoq që mos u jepte shumë rëndësi komenteve të zotit Trump në Twitter.

"Ato nuk janë politikë. Është thjesht media sociale”, i tha ai CNN-it.

Komentet e zotit Trump në Twitter për ndalimin e tij të udhëtimit mund të luajnë rol ndërsa administrata e tij apelon vendimet e gjykatave të shkallëve më të ulëta në Gjykatën e Lartë.

Por zoti Trump nuk duket se po zmbrapset nga kritikët e komenteve të tij në Twitter.

Vitin e kaluar para se të zgjidhej president, zoti Trump iu drejtua pjesëmarrësve në një tubim.

"E dini se cilët thonë ‘Mos përdor Twitter?’. Armiqtë tuaj”.

Facebook Forum

SHBA

XS
SM
MD
LG