Lidhje

Presidenti Trump, masa ekzekutive për të prekurit nga pandemia


Presidenti Donald Trump ndërmori të shtunën hapa për të shtyrë pagimin e taksave për miliona amerikanë dhe për të zgjatur në kohë programin tashmë të skaduar të përfitimeve për papunësinë, pas dështimit të negociatave me Kongresin. Presidenti nënshkroi katër urdhra ekzekutivë për këtë qëllim, duke thënë se bllokimi politik në Uashington, e detyroi të vepronte.

Presidenti Trump i nënshkroi masat ekzekutive në klubin e tij privat të golfit në Bedminster të Nju Xhersit.

"Po ndërmarr veprim për të dhënë 400 dollarë shtesë në javë. Është një shumë bujare, por ne duam të kujdesemi për njerëzit tanë. Nuk ishte faji ynë. Ishte i Kinës. Shteteve do t’u duhet të mbulojnë 25 për qind të kostos me fondet ekzistuese, si dhjetra-miliarda dollarët që kanë në dispozicion permes fondit të ndihmave për koronavirusin”, tha ai.

Presidenti Trump, masa ekzekutive për të prekurit nga pandemia
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Në fakt u takon shteteve të vendosin sesa nga fondet e tyre të përdorin për këto ndihma. Më parë pagesa javore kishte qenë 600 dollarë në javë për ndihmën e papunësisë dhe përmasat e saj ishin një nga pikat për të cilat administrata e presidentit Trump dhe demokratët në Kongres nuk kishin rënë dakord.

Të shtunën, Presidenti Trump e shpjegoi uljen e kësaj shifre, me faktin që shuma e re është ajo e nevojshme.

“Kjo është një nxitje shumë e mirë që të rikthehen në punë. Kjo është shumë më tepër nga ç’ishte rënë dakord më parë. Siç e dini, kishte vështirësi me shumën prej 600 dollarëshe, sepse në fakt është jonxitëse”.

Presidenti i referohej argumentit të republikanëve se në disa raste shuma prej 600 dollarësh në javë ishte më e madhe nga sa do të merrej nëse përfituesit e saj do të punonin.

Por shifrat e papunësisë sugjerojnë se është ende e vështirë për shumë nga ata që humbën punën nga kriza, që të ripunësohen. Nga 22 milionë vende pune që kanë humbur, vetëm 42 për qind janë rikuperuar dhe shifrat e korrikut tregojnë se punësimi u ngadalësua në krahasim me qershorin.

Presidenti Trump tha se do të shyjë dhe pagesën e taksave për punonjësit amerikanë dhe fajësoi demokratët për mosarritjen e një marrëveshjeje.

“Nuk menduam se do të na duhej ta bënim këtë, sepse menduam se demokratët do të ishin të arsyeshëm. Por jo vetëm që kanë qenë të paarsyeshëm, por edhe qesharakë”, tha ai.

Zoti Trump tha se nëse fitonte në zgjedhjet e nëntorit, ai do t’i falte këto taksa. Presidenti tha se administrata e tij do të merrte gjithashtu masa që amerikanët të mos nxirren nga shtëpitë për shkak se nuk paguajnë dot qeranë ose kredinë.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer thanë përmes një deklarate, se masat e njoftuara “tregojnë se Presidenti Trump ende nuk e kupton seriozitetin, apo urgjencën e krizës shëndetësore dhe ekonomike me të cilën përballen familjet” dhe se ato nuk u japin ndihmë reale këtyre familjeve.

Gati dy javë bisedime midis zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve të Kongresit përfunduan të premten pa marrëveshje, kryesisht pasi nuk u ra dakord për shumën totale të paketës së ndihmës,

Demokratët kishin kërkuar 3.4 trilionë dollarë, republikanët kishin propozuar 1 trilion. Demokratët kishin lënë të kuptohet se mund të binin dakord për 2 trilionë dollarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG