Presidenti Donald Trump tha se gjatë dy javëve të ardhshme do të vendosë nëse do të imponojë tarifa të reja ndaj Kinës.
Zoti Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave me një vlerë prej 300 miliardë dollarësh ndaj mallrave kineze. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari gjatë vizitës së tij në Francë të enjten zoti Trump tha se "vendimin do ta marrë gjatë dy javëve të ardhshme, ndoshta menjëherë pas takimit të grupit të 20-s".
Takimi zhvillohet në Japoni në datat 28 dhe 29 qershor. Presidenti Trump tha se pritet të takohet atje me presidentin kinez Xi Jinping duke shtuar se "do të shohim se çfarë do të ndodhë".
Zoti Trump vendosi tarifat e para ndaj importeve kineze vitin e kaluar në një përpjekje për të ulur defiçitin tregtar të SHBA-së dhe ushtruar presion ndaj Kinës për të bërë reforma ekonomike.
Ai e ka akuzuar Kinën se po përpiqet të dominojë ekonominë botërore me subvencione të padrejta dhe duke vjedhur apo duke detyruar kompanitë amerikane që të japin informacion mbi teknologjinë.
Që prej vendosjes së tarifave të para amerikane, të dy vendet i janë përgjigjur njëri-tjetrit me tarifa hakmarrëse në vlerën e qindra miliarda dollarëve.
Lufta tregtare është intensifikuar që prej dështimit të bisedimeve mes dy vendeve në fillim të muajit maj.
Të enjten zoti Trump tha se bisedimet me Pekinin vazhdojnë, megjithëse që nga 10 maji nuk kanë pasur takime ballë për ballë mes palëve, kohë kur zoti Trump vendosi tarifa të reja ndaj mallra kineze me vlerë mbi 200 miliardë dollarë.
Kina u hakmorr këtë muaj duke vendosur tarifa në vlerën e 60 miliardë dollarëve ndaj mallrave amerikane.
Facebook Forum