Presidenti Donald Trump përsëriti sot përmes Twitterit akuzat e tij, se Gjermania nuk paguan pjesën e kuotave që i takon ndaj NATO-s. Këto komente ai bën tre ditë pas takimit me kancelaren gjermane, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se kishte shkuar mirë.
"Ata paguajnë shumë më pak nga sa i takon ndaj NATO-s dhe për ushtrinë. Shumë keq për ne, kjo ka për të ndryshuar”, shkruante në Twitter Presidenti Trump.
Pas takimit të javës së kaluar të G-7 në Siçili, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se "Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit."
Por sot zonja Merkel sqaroi se ajo mbetet e përkushtuar ndaj lidhjeve të forta që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
"Marrëdhënia jonë transatlantike është e një rëndësie shumë të madhe”, tha ajo. “Deklarata që unë bëra ditët e fundit lidhet me faktin se në rrethanat e tanishme ne kemi më tepër arsye për të kuptuar se ne europianët duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”.
Angela Merkel, ishte në mesin e udhëheqësve të tjerë europianë që u shprehën kritika të ashpëra për vendimin e Presidentit amerikan në takimin e G-7-ës për të mos e mbështetur Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike.
Facebook Forum