Gjatë fushatës presidenciale vjet, Donald Trumpi u zotua të bashkojë kombin. Por shtatë muajt e administratës së tij kanë dëshmuar se ky zotim ka qenë i vështirë për t’u realizuar. Komentet e presidentit, kur fajësoi të dyja palët në incidentet e Sharlotsvillit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes pyetjen nëse presidenti po punon sa duhet për të mbyllur përçarjet.
Po mbyllet një javë që ka dëshmuar kontrastet e punës së presidentit. Në një fjalim para një grupi veteranësh në Nevada, presidenti foli për unitet:
“Ka ardhur koha të shërojmë plagët që na ndajnë dhe të kërkojmë unitet bazuar në vlerat e përbashkëta që na bashkojnë,” tha presidenti.
Por një ditë më parë, në një tubim që i ngjante një aktiviteti fushate në Finiks, presidenti sulmoi kundërshtarët politikë dhe shtypin.
Ai u doli në mbrojtje komenteve ku fajësonte të dyja palët pas protestave të dhunshme në Sharlotsvill.
“Dënova supremacistët, neonazistët, të gjithë. Dënova KKK. Medias i ka dalë punë. Nuk kishin ç’të thonin, prandaj thanë se presidenti duhet të kishte folur më herët. Më akuzuan si racist,” tha zoti Trump.
Tubimi mblodhi protestues që janë mobilizuar pas ngjarjeve në Sharlotsvill:
“Jam shtangur vërtetë nga mënyra se si sillet ai në post. Është një kaos total,” thotë një protestues anti-Trump.
Por shumë nga përkrahësit e presidentit mbeten optimistë.
“Ai është i mrekullueshëm. Ai ka të drejtë për gjithçka që bën,” thotë një përkrahëse.
Reagimet që pasuan komentet për Sharlotsvillin nuk e kanë ndihmuar popullaritetin e dobët të presidentit, thotë historiani Allan Lichtman:
“Krahasuar me presidentë të tjerë në situata të tjera krize, të cilët e kanë bashkuar vendin, Trumpi merr notë ngelëse”.
Përkrahësit e presidentit ia tolerojnë stilin agresiv, thotë analisti Hans Noel përmes Skype-it:
“Ai nuk ka të njëjtën eksperiencë në trajtimin e ideve si pjesa tjetër e politikanëve. Për disa njerëz, kjo veti e bën atë tërheqës, fakti që ai nuk bën atë që thonë njerëzit, nuk luan të njëjtën lojë si të tjerët”.
Tensionet në rritje mes presidentit dhe udhëheqësve republikanë në Kongres mund të sjellin probleme, thotë Larry Sabato.
“Nismën duhet ta marrin republikanët në Kongres. Ata kontrollojnë të dyja Dhomat e Kongresit, ata do të konkurojnë për rizgjedhje në votimet e ardhshme. Trumpi nuk konkurron në 2018, por ata duan të rizgjidhen”.
Një anketë e re e Universitetit Quinnipiac tregon se 62% e të anketuarve e shohin Donald Trumpin si faktor përçarës, ndërsa 31% e shohin si faktor bashkimi.
Facebook Forum