Lidhje

Trump fajëson të dyja palët për dhunën racore


Presidenti Donald Trump mbrojti me forcë atë që shumë njerëz e quajtën një deklaratë të dobët të tij për dënimin e dhunës racore të së shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias.

Duke komentuar përsëri të martën pasdite për dhunën në Virxhinia, ai tha se ka mjaftueshëm arsye për t’i ngarkuar me faj të dyja palët.

Kritikët e presidentit thonë se atij iu deshën dy ditë për të përdorur fjalët neo-nazistë, Ku Klux Klan dhe supremacistë të bardhë kur dënoi trazirat, në të cilat gjeti vdekjen një grua, dy oficerë policie të shtetit Virginia dhe u plagosën dhjetra njerëz të tjerë.

Duke folur në Kullën Trump të Nju Jorkut, përballë pyetjeve të gazetarëve që jehonin në hollin e ndërtesës, Presidenti tha se nuk i kishte patur "të gjitha faktet", kur bëri deklaratën e tij të parë menjëherë pas trazirave në Sharlotsvill.

Ai tha se donte të sigurohej se ajo që do të thoshte do të ishte e saktë dhe jo thjesht të dilte me një deklaratë politike.

Zoti Trump tha se deklarata më e detajuar që ai lëshoi të hënën u bë duke patur “informacion të saktë”.

Në një debat të nxehtë me atë që ai e quajti përsëri "media e rreme," zoti Trump i cilësoi anti-protestuesit e tubimit të së shtunës “e majta alternative”, që nuk kishte leje për të marshuar por që iu vërsul protestuesve të së djathtës ekstreme me shkopinj, e gatshme për të luftuar.

Presidenti tha se jo të gjithë protestuesit në anën e së djathtës ekstreme ishin neo-nazistët dhe nacionalistë të bardhë. Ai tha se disa prej tyre ishin njerëz të mirë, të cilët erdhën në Sharlotsvill për të protestuar kundër planeve të qytetit për të hequr një statujë të gjeneralit të Konfederatës Robert E. Lee, gjatë Luftës Civile amerikane.

Presidenti iu shmang pyetjes së një gazetareje nëse ai mendote se statuja e gjeneralit Lee duhet të mbetej. zoti Trump i kujtoi asaj se George Washingtoni dhe Thomas Jeffersoni, të cilët konsiderohen si heronj dhe udhëheqës progresivë amerikanë, ishin që të dy pronarë skllevërish.

Shoferin që dyshohet se vrau me makinë 32-vjeçaren Heather Heyer dhe që ishte simpatizant i nazistëve, Presidenti Trump e quajti "vrasës, një turp për veten e tij dhe për vendin." Ai tha se Heyer ishte "një vajzë e re fantastike dhe e shkëlqyer."

Presidenti Trump tha se krijimi i vendeve të punës është një zgjidhje për të kapërcyer racizmin, duke thënë se njerëzit duan punë të mira dhe me pagë të mirë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG