Lidhje

Trupat shtesë të KFOR-it fillojnë vendosjen në Kosovë


Sukob Srba sa severa Kosova i pripadnika KFOR-a
Sukob Srba sa severa Kosova i pripadnika KFOR-a

NATO-ja filloi sot vendosjen e trupave shtesë të saj në Kosovë, në prag të zgjedhjeve serbe. Sot kanë arritur në Kosovë rreth 250 paqeruajtës nga Gjermania, ndërsa deri të hënën pritet që të arrijnë edhe pjesa tjetër e 700 trupave që do t’i shtohen KFOR-it në Kosovë.

Nga ta rreth 550 ushtarë janë nga Gjermania, ndërsa 150 të tjerë nga Austria.

Një zëdhënës i forcave të NATO-s tha se shtimi i tensioneve ka bërë që kjo aleancë të vendosë forca shtesë në Kosovë pak ditë para zgjedhjeve serbe.

Serbia do të mbajë më 6 maj zgjedhjet presidenciale, parlamentare e lokale dhe fillimisht ishte thënë se ato do të mbahen edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Beogradi ka vendosur të heq dorë nga zgjedhjet lokale, për shkak të kundërshtimit të autoriteteve ndërkombëtare, por, një pjesë e përfaqësuesve serbe në veriun e Kosovës ngulin këmbë se do të mbajnë zgjedhje të tilla në dy komuna veriore.

Derisa autoritetet në Beograd thonë se ky vendim nënkupton respektim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, opozita serbe akuzon qeverinë se në këtë mënyrë po e njeh pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet vendase në Kosovë thanë se kanë hartuar plan të posaçëm për pengimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa ende janë në pritje të një përgjigjeje nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë lidhur me siç është thënë lehtësimin e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, një mundësi që atyre u garantohet me shtetësinë e dyfishtë.

XS
SM
MD
LG