Trysnia ndërkombëtare po shtohet mbi udhëheqësin libian Moammar Gadhafi, për shtypjen e dhunshme të protestave opozitare që janë dënuar gjerësisht. Sekeretari i Përgjithshëm i Natos dënoi sot përdorimin e dhunës kundër qytetarëve në Libi ndërkohë që Bashkimi Evropian, aleanca e Natos dhe OKB-ja punojnë për të koordinuar një plan veprimi.
Sekretari i Përgjithshëm i Natos Anders Fogh Rasmusen dënoi sot me forcë përdorimin e dhunës në Libi.
Dënoj ashpër përdorimin e dhunës. Është absolutisht skandaloz fakti që regjimi libian përdor forcat e armatosura kundër popullit të vet.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton tha sot se blloku i 27 vendeve anëtare duhet të shqyrtojë masa kufizuese kundër Libisë, përfshi ndalimin e udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve.
Kjo është aryeja e rëndësisë së bashkëpunimit me OKB-në dhe sigurisht me Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Evropës që janë pjesë e Këshillit të Sigurimit. Ky është pozicioni me i efektshëm i Evropës pasi është kombinimi i krerëve të qeverive që janë në gjendje të bëjnë diçka përmes OKB-së dhe BE-së.
Shefi i Natos nga ana e tij, përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës apo vendosjen e zonës së ndalin fluturimit mbi Libi në këtë fazë.
Kjo përqasje do të kërkonte patjetër legjitimitet ndërkombëtar dhe veçanërisht një mandat të qartë nga Kombet e Bashkuara tha zoti Rasmusen para se të shtonte se Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të zhvillojë gjithashtu sot një takim emergjent.