Lidhje

BQE lëvron këstin e ri për Greqinë


Bankat greke morën një tjetër sasi keshi sot nga banka Qendrore Evropiane, në prag të një votimi të rëndësishëm në Parlament mbi rregullat për trajtimin e bankave të falimentuara dhe përshpejtimin e procesit ligjor të ndihmave. Këto janë dy kushte të vendosura nga Eurozona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për të hapur negociatat me Greqinë.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras u takua sot me bankierët e vendit ndërkohë që ligjvënësit po debatojnë mbi një paketë të dytë reformash juridike dhe bankare, të domosdoshme për të siguruar ndihma financiare nga Evropa.

Bankat greke u rihapën të hënën për herë të parë pas tre javësh, por kontrollet mbi kapitalet mbeten në fuqi.

Gjatë takimit me bankierët në zyrën e tij në Athinë, z Tsipras theksoi nevojën për një sistem bankar të qëndrueshëm.

Duke folur me gazetarët pas takimit me kryeministrin, kryetari i Shoqatës së Bankave të Greqisë, Louka Katseli, tha se kthimi në normalitetin bankar është në interesin e të gjithëve.

Votimi i sotëm shihet si më pak i debatueshëm sesa paketa e javës së kaluar, e cila përfshinte shkurtimin e shpenzimeve dhe reformat e pensioneve, por arriti të miratohet megjithë rebelimin brenda partisë Syriza të kryeministrit Tsipras.

XS
SM
MD
LG