Lidhje

Turqi, debat mbi konviktet e përbashkëta


Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shkaktuar një stuhi politike në Turqi me thirrjen për të ndaluar konviktet e përbashkëta mes studenteve dhe studentëve. Kryeministri tha se kjo ishte përgjigja e tij për shqetësimet e prindërve. Por thirrja e tij ka ngritur pyetje nëse synimet e partisë në pushtete kanë motive fetare.

Zoti Erdogan thotë se banimi i përbashkët mes vajzave dhe djemve universitarë është i papranueshëm dhe tha se qeveria do të mbyllë konvikte të tilla në 75% të universiteteve shtetërore.

Kritikët e kanë akuzuar shpesh zotin Erdogan për ndërhyrje në jetën private, që nga këshillat e tij për gratë, numri i fëmijëve e deri tek pikëpamjet e tij për abortin.

Kjo studente, e cila jeton me të dashurin, beson se veprimi i zotit Erdogan ka të bëjë me një axhendë fetare.


"Ata nuk duan që burrat dhe gratë të jenë bashkë sepse janë një parti islamike dhe këto gjëra gjithmonë kanë ndodhur në Turqi. Gjithçka ka të bëjë me gratë dhe trupin e tyre. Menodoj se kjo çështje nuk ka të bëjë me burrat. Kjo ka të bëjë vetëm me gratë dhe jetën e tyre”.

Zoti Erdogan, partia AK e të cilit i ka rënjët në poliltikat islamiste, mohon se thirrjet e kryeministrit kanë motive fetare, duke pretenduar se kjo është në përgjigje të shqetësimeve të prindërve.

Por gjatë gjithë dekadës së tij në këtë post, ai është akuzuar se ka minur sistemin 90 vjeçar laik të vendit, akuzë të cilën e ka hedhur poshtë me forcë.

Aife Bartu Candan, profesore e sociologjisë në Universitetin Bosfor të Stambollit, thotë se veprimi i fundit i kryeministrit rihap debatin për axhendën e qeverisë së tij.

"Për laikët këtu nuk ka asgjë të re. Ata thonë se kjo është realisht axhenda e Erdoganit, por tani ai po e bën publike”.

Vëzhguesit thonë se deklarata e kryeministrit vjen menjëherë pas arritjes së një konsesusi politik për çështjen shumë të debatueshme që gratë deputete të shkonin apo jo me shami në kokë në parlament.

Partia Republikane e Popullit, partia e Mustafa Kemal Ataturk-ut, i cili themeloi republikën laike moderne, e ka akuzuar kryeministrin se po përpiqet të ringjallë konfliktin mes laikëve dhe fetarëve gjatë fushatës zgjedhore 18-muajore që përfundon me zgjedhjet e përgjithëshme në vitin 2015. Por zoti Erdogan këmbëngul se po ndjek axhendën e “demokracisë konservatore”.

Pinar Ilkkaracan, bashkëthemeluese e shoqatës Gratë Turke për të Drejtat e Njeriut thotë se deklaratat e fundit të kryeministit kanë për qëllim të mbajnë nën tutelë gratë.

Zv/kryeministri Bulent Arinc u përpoq ta anashkalonte debatin që ngjallën deklaratat e kryeministrit, duke thënë që kjo nuk është axhenda qeveritare.

Disa ekspertë ligjorë thonë se ligji ekzistues mund të përdoret për të ndaluar banimin e përbashkët të vajzave dhe djemve studentë.

Bashkimi Evropian ka shprehur shtetësime për këtë në deklaratat e tij, duke thënë se qeveritë nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në mënyrën e jetesës së të rriturve. Megjithë këto kritika, kryeminisrti turk nuk ka dhënë shënja tërheqjeje nga pozitat e tij.
XS
SM
MD
LG