Lidhje

Qeveria turke kërkon ndryshime në kushtetutën e vendit


Qeveria turke pretendon se propozimi i saj për ndryshimin e kushtetutës do të demokratizojë vendin dhe do të përmbushë kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Europian

Qeveria turke dërgoi në parlament një paketë shumë të debatueshme reformash kushtetuese, që i japin një goditje serioze elitës laike. Qeveria turke pretendon se propozimi i saj për ndryshimin e kushtetutës do të demokratizojë vendin dhe do të përmbushë kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kushtetuta e Turqisë u krijua nga sunduesit ushtarakë të vendit të cilët e morën pushtetin në vitin 1980. Që nga ajo kohë, kushtetuta ka qenë në qendër të kritikave në vend.

Soli Ozel është studius i shkencave politike në universitetin Bilgi. Ai thotë se shumë turq besojnë në reformat kushtetuese.

“Kushtetuta e tanishme është hartuar nga ushtria për ushtrinë me idenë se lufta e ftohtë nuk do të përfundonte kurrë dhe Turqia do të vazhdonte me sistemin gjysmë-autoritar. Si e tillë, kushtetuta krijon më tepër kufizime se sa liri, gjë që bie ndesh me frymën e botës përëndimore dhe sipas mendimit tim është në kontrast me nevojat e vendit dhe gjendjen e vendit tonë.”

Propozimi i partisë islamike në pushtet, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit përmban 26 propozime për ndryshimin e kushtetutës. Kjo paketë përfshin një numër çështjesh, lufta kundër diskriminimit që u bëhet grave, heqja e ndalimit për ndjekjen penale të udhëheqësve të puçit ushtarak të vitit 1980 si dhe e bën më të vështirë nxjerrjen jashtë ligjit të partive politike që sfidojnë institucionet nacionaliste të vendit.

Por një nga propozimet më të debatueshme përfshin një version të rishikuar të ligjit, që do të lejonte shefin e shtabit të forcave të armatosura dhe komandantë tjerë të lartë, deri tani të paprekshëm, të gjykohen në Gjykatën e Lartë ashtu si ministrat e kabinetit qeveritar. Presidenti turk, Abdullah Gul paralajmëroi mbështetësit e tij në qeveri të veprojnë me kujdes, duke thënë se është e rëndësishme që të zgjidhet rruga më e mirë për këto ndryshime.

Zëvendës kryeministri Cemil Cicek thotë se reformat duhet të miratohen.

“Turqia nuk mund të vazhdojë me këtë kushtetutë. Këto ndryshime duhet të ndodhin. Synimi i tyre nuk është forcimi i qeverisë sonë, Qëllimi i amendamenteve është vendosja e sovranitetit të popullit në çdo fushë dhe forcimi i sundimit të popullit”, thotë zoti Cicek.

Por kritikët thonë se ndërsa ndryshimet janë të nevojshme, amendamentet e propozuara nga partia në pushtet AK, janë një pretekst që i shërben përpjekjeve të saj për të konsoliduar pushtetin dhe promovuar një agjendë islamike.

Kritikët i referohen një propozimi që do të rriste numrin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese nga 11 në 19, 16 prej të cilëve do të emëroheshin nga presidenti dhe tre nga parlamenti.

Avokati Riza Turmen përfaqëson Turqinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Qeveria do të ketë kontroll të plotë mbi gjyqësorin, gjykatën kushtetuese dhe mbi këshillin e lartë gjyqësor i cili është çelësi i pavarësisë së gjyqësorit. Në çdo shtet ekziston ndarja e pushteteve dhe sundimi i ligjit. Gjyqësori vendos kufijtë e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike. Përndryshe qeveria mund të veprojë arbitrarisht. Ky është rreziku me të cilin po ballafaqohemi tani në Turqi.”

Gjyqësori dhe në veçanti gjykata kushtetuese ka qenë pengesë për qeverinë duke hedhur poshtë disa reforma të rëndësishme. Kryeministri Recep Tayip Erdogan pretendon se gjyqësori është i politizuar dhe po uzurpon kërkesat demokratike të popullit.

Si rrjedhojë, kryeministri po përpiqet të sigurojë mbështetje nga të gjitha partitë për paketën e ndryshimeve kushtetuese, duke këmbëngulur se kjo paketë duhet të miratohet ashtu siç është.

Por Haki Okay nga partia kryesore e opozitës, Partia Republikane e Popullit, thotë se kjo është e papranueshme.

“Ne do të mbështesim disa nene të paketës. Por nese reformat parashtrohen si paketë në tërësi, ne do ta kundërshtojmë atë.”

Partitë e tjera opozitare janë dakord me zotin Okay, duke e zvogëluar mundësinë e sigurimit të dy-të-tretave të votave të nevojshme parlamentare për miratimin e reformës. Çështja e reformave kushtetuese mund të shkojë në referendum popullor.

Nuk duket se paketa mund të hidhet për votim para mesit të muajit prill, sepse propozimi duhet të kalojë përmes një hetimi të kujdesshëm parlamentar. Referendumi, në se do të kërkohet një i tillë, mund të mbahet dy muaj pas dështimit të ligjit në parlament.

Kreu i gjykatës kushtetuese Hasim Kilic, për të cilin vëshguesit thonë se është simpatizues i qeverisë, ka paralajmëruar se ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me konsensus, përndryshe, thotë ai, çështja do të përfundojë në gjykatën kushtetuese, e cila do t’i hedhë poshtë reformat. Vëshguesit paralajmërojnë se një gjë e tillë do ta çonte vendin në një krizë të madhe politike.

XS
SM
MD
LG