Lidhje

Turqia, një vit pas tentativës për grusht shteti


Nesër mbushet një vit që nga tentativa e dështuar për grusht shteti ndaj qeverisë së Presidentit të Turqisë, Recep Taip Erdogan. Spastrimet që pasuan, rezultuan në pushimin nga puna të rreth 100 mijë punonjësve qeveritarë dhe 40 mijë vetë u arrestuan. Në prill, udhëheqësi autoritar turk konsolidoi edhe më tej kontrollin mbi pushtetin përmes një referendumi kushtetues. Shtetet e Bashkuara e dënuan tentativën për grusht shteti, por kanë shprehur gjithashtu kundërshtim ndaj një numër veprimesh të qeverisë turke.

Presidenti Erdogan ka fajësuar kundërshtarin politik Fetullah Gulen si ideator të grushtit të shtetit dhe ka kërkuar ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria amerikane nuk pranon ta ekstradojë Gulenin pa pasur prova të mirëfillta se ai ishte pas grushtit të shtetit. Ish-ambasadori amerikan në Turqi, James Jeffrey thotë se do të ishte e vështirë të esktradohej Guleni pa prova se kishte gisht apo se ishte në dijeni të tentativës për atentat ndaj kreut të shtetit në Turqi.

“Çështja bëhet shumë e ndërlikuar; unë nuk kam parë prova dhe do të mbetesha i çuditur nëse ka prova të shumta, pasi kur dikush ndërmerr një akt të tillë nuk lë shumë gjurmë,” thotë zoti Jeffrey.

Por ish-ambasadori shton se përkrahësit e Gulenit kishin infiltruar në forcat e armatosura turke, në polici dhe gjyqësor dhe kishin ndihmuar në hartimin e komplotit. Këshilltari ushtarak pranë Departamentit të Shtetit, Richard Outzen thotë se ushtria turke kishte shumë fraksione të brendshme rivale para grushtit të shtetit.

“Më kujtohen dy oficerë shumë të aftë të forcave speciale, të cilët i njoh personalisht. Ata nuk ishin rritur në karrierë pasi ishin laikë në pikëpamje. Ata nuk pranonin t’u puthnin dorën, si i thonë fjalës, atyre që kishin jozyrtarisht kontrollin”.

Por Koloneli Outzen shton se nuk u vërtetuan shqetësimet se spastrimet e radhëve të ushtrisë do t’i dobësonin forcat e armatosura turke. Ai sjell si shembull manovrat e suksesshme ushtarake pas grushtit të shtetit.

Fuqia ushtarake e bën Turqinë një anëtare të vlefshme për NATO-n. Por marrëdhëniet e Ankarasë me Perëndimin janë acaruar si rezultat i masave të Erdoganit kundër opozitës dhe referendumit të prillit që i dha atij pushtet thuajse të pakufizuar. Disa analistë thonë se tendenca e Erdoganit drejt autoritarizmit ka gjasa të intensifikohet.

“Një tregues që e mbështet këtë teori është deklarata e tij kohët e fundit se gjendja e jashtëzakonshme e vënë në zbatim pas grushtit të shtetit do të vazhdonte deri sa në Turqi të sundonte paqja dhe begatia. Si përkufizohen “paqja dhe begatia”? Pra këto masa janë thuajse pa afat,” thotë analisti Coner Cagaptay, autori i librit “Sulltani i ri”.

Kjo prirje do të krijojë përplasje të reja me grupe dhe individë në Perëndim, por analistët thonë se nuk do të sjellë ndonjë tronditje të dukshme në aleancën SHBA-Turqi që ka të njëjtat interesa në Lindjen e Mesme: eliminimin e Shtetit Islamik dhe ndaljen e luftës në Siri si dhe kufizimin e ndikimit negativ të Iranit në rajon.

XS
SM
MD
LG